Zinedine Zidane është përzgjedhës i ri i Francës. Vendimi që pritej për kohë të gjatë u mor të martën paradite nga Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Francës.
Legjenda Zidane do të jetë në krye të Francës për katër vjet, deri pas Botërorit 2030.
Zidane e zëvendëson Didier Deschampsin që kishte suksese kulmore me Francën. Zidane e fillon zyrtarisht punën më 1 gusht, ndërsa fillimisht do ta drejtojë Francën në kampanjën në Ligën e Kombeve. Më pas vjen Evropiani 2028, edicionin i radhës i Ligës së Kombeve dhe Botërori 2030.
“Shpesh kam thënë se nuk ka asgjë më të madhe se ekipi përfaqësues i Francës. Kështu që është kënaqësi dhe qartë burim i madh krenarie të bëhem përzgjedhës i Francës. Është po ashtu përgjegjësi. Dua të falënderoj presidentin Philippe Diallo, Komitetin Ekzekutiv dhe Federatën e Futbollit të Francës për besimin. Jam mirënjohës për 14 vjetët në shërbim nga Didier dhe stafi i tij. Po ashtu kam mendime të veçanta sot për të gjithë trajnerët e mi. Kam ambicie të mëdha me Francën”, ka thënë Zidane.
Franca llogaritej favorite për ta fituar Kupën e Botës në SHBA, Kanada e Meksikë. Por u ndal në gjysmëfinale nga Spanja. Franca është e mbushur me yje, ndërsa vlerësohet favorite e hershme për Euro 2028 dhe Botërorin 2030.














































