Si qytetar i Prizrenit dhe si kryetar i një subjekti politik në nivel vendi, besoj se përgjegjësia jonë është të flasim për problemet reale të qytetarëve, pavarësisht se nga cili nivel vijnë ato.
Është e pakuptueshme që kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, z. Artan Abrashi, sot ngre akuza ndaj pushtetit lokal për çështje të caktuara, ndërsa për një kohë të gjatë ka heshtur për vendime të nivelit qendror që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në komunat dhe në jetën e qytetarëve të Prizrenit.
Komunat janë përballur me sfida serioze financiare si pasojë e vendimeve të marra pa konsultim të mjaftueshëm me pushtetin lokal, barrës së shtuar nga zbatimi i Kontratës Kolektive, shkurtimit të Grantit të Performancës Komunale, mosadresimit të obligimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore dhe bartjes së kostove shtesë për arsimin tek komunat.
Këto nuk janë çështje politike të një partie, këto janë çështje që prekin drejtpërdrejt shërbimet publike, investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin e qyteteve tona. Përballë këtyre sfidave, qytetarët kanë pritur reagim dhe mbrojtje të interesit lokal, jo heshtje.
Ndërkohë, në vend që të ngrihet zëri për këto probleme reale, po tentohet të krijohen debate politike rreth çështjeve dytësore dhe akuzave të pabazuara ndaj individëve.
Prizreni ka probleme të shumta që kërkojnë angazhim serioz, mungesa e parkingjeve, uzurpimi i hapësirave publike, menaxhimi i mbeturinave, mungesa e infrastrukturës në disa lagje dhe fshatra, planifikimi urban i dobët, trajtimi i qenve endacakë dhe shumë çështje të tjera.
Qytetarët e Prizrenit meritojnë një opozitë që i adreson këto probleme çdo ditë, jo vetëm kur ka interes politik. Meritojnë përfaqësues që mbrojnë interesin e qytetit të tyre në çdo nivel, lokal dhe qendror.
Politika nuk duhet të jetë vetëm reagim selektiv ndaj kundërshtarëve, por përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Shkruan: Blerim SARAMATI – Kryetar i Partisë së Gjelbër për Kosovën
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online















































