Kusari-Lila: Nëse nga nesër s’ka ulje të çmimit e derivateve, do ta kthejmë çmimin tavan

0
21

Çmimi i naftës në Kosovë mund të rikthehet nën kontrollin e shtetit që nga nesër. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar rikthimin e çmimit tavan nëse rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet edhe te konsumatorët në Kosovë.

Gjatë një përgjigjeje në Kuvendin e Kosovës, pas pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, Kusari-Lila ka bërë të ditur se në dy ditët e fundit ka nisur rënia e çmimit të naftës në tregjet botërore. Ajo ka paralajmëruar se, nëse kjo ulje nuk vërehet edhe në çmimet vendore, ministria do të ndërhyjë duke vendosur sërish një çmim maksimal.

“Pozitive në këto dy ditët e fundit është fillimi i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në tregun në Kosovë, ne do ta kthejmë çmimin tavan, pasi kemi bazë ligjore ta bëjmë atë”, deklaroi Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës.

Ministrja ka sqaruar se vendimi për vendosjen e çmimit tavan ishte në fuqi nga marsi deri më 8 shtator të vitit 2026, kur edhe përfundoi afati i zbatimit të tij. Pas skadimit të këtij vendimi, MINT-i ka vazhduar monitorimin e përditshëm të çmimeve të derivateve dhe përcaktimin e marzhës së fitimit, në përputhje me çmimet e tregut.

Sipas Kusari-Lilës, që nga heqja e çmimit tavan, marzha e fitimit të naftëtarëve nuk e ka tejkaluar 12 centëshin për litër.

Ajo ka theksuar se rritja e fundit e çmimit të naftës në Kosovë, e cila ka kaluar 1.90 euro për litër, lidhet me shtrenjtimin e këtij derivati në tregjet ndërkombëtare.