Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me respekt të veçantë akademik prof. dr. Latif Susurin, një personalitet të shquar të shkencës shqiptare dhe një ndër themeluesit e studimeve moderne në fushën e fitopatologjisë shqiptare. I lindur në Zhur, një hapësirë e njohur për traditën e saj të arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare, ai ishte pjesë e një brezi intelektualësh që e kuptonin dijen si mision dhe përgjegjësi shoqërore.
Veprimtaria e tij shkencore përbën një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencave bujqësore. Përmes kërkimeve të tij mbi sëmundjet e bimëve – të shkaktuara nga kërpudhat, bakteret, viruset dhe fitoplazmat, ai vendosi themele të forta metodologjike dhe ngriti standarde që vazhdojnë të jenë referencë edhe sot.
Me qindra publikime shkencore, pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare dhe dhjetëra tekste universitare e fjalorë profesionalë, akademik Susuri jo vetëm që kontribuoi në prodhimin e dijes, por edhe në sistemimin dhe përhapjen e saj në gjuhën shqipe.
Për më shumë mbi kontributin e tij shkencor, mund t’i referoheni faqes zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (www.ashak.org).
Ai doktoroi në Universitetin e Zagrebit në vitin 1983, ndërsa përvojën e tij kërkimore e pasuroi edhe gjatë qëndrimit në Londër (1996/97), duke punuar në institucione prestigjioze si Imperial College dhe Science Museum Libraries.
Në Universitetin e Prishtinës shërbeu si ligjërues, profesor dhe dekan i Fakultetit të Bujqësisë, ku themeloi dhe zhvilloi lëndën e Fitopatologjisë, duke formuar breza të tërë profesionistësh.
Përveç dimensionit shkencor, ai dëshmoi edhe integritet të lartë qytetar e kombëtar. Gjatë viteve 1990–1999, në rrethanat e represionit, ishte ndër ata që mbajtën gjallë jetën akademike në kuadër të sistemit paralel të Universitetit të Prishtinës, duke e shndërruar dijen në akt rezistence dhe mbijetese kombëtare. Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 anëtar i rregullt.
Megjithatë, përmasat e veprës së tij nuk reflektohen sa duhet në kujtesën dhe vlerësimin institucional. Anashkalimi i figurave të tilla nuk është vetëm mungesë vlerësimi, por një tregues shqetësues i mënyrës se si trajtohet trashëgimia shkencore në vend. Një shoqëri që nuk i njeh dhe nuk i nderon dijetarët e saj rrezikon të humbasë orientimin e vet intelektual. Prandaj, rikthimi i figurës së akademik Prof.Dr. Latif Susurit në vendin që i takon nuk është vetëm nderim për të, por domosdoshmëri për vetë ndërgjegjen tonë kolektive.
Shkruan: Skender SUSURI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online














































