Figo vlerëson Yamal: “Ndoshta do të më duhej të kaloja në krahun e majtë”

0
29

Ish-futbollisti portugez Luis Figo ka shprehur admirimin për talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke bërë edhe një deklaratë me humor për mundësinë që të luanin në të njëjtën skuadër.

Fituesi i Topit të Artë në vitin 2000 pranoi se, nëse do të ndanin fushën në të njëjtën periudhë, ndoshta do të duhej të ndryshonte pozicion për t’i lënë hapësirë talentit të ri spanjoll.

“Nëse do të kishim luajtur në të njëjtën kohë, ndoshta mua do të më duhej të kaloja në krahun e majtë dhe të ndryshoja pozicion”, deklaroi Figo për Betfair.

Megjithatë, portugezi nuk la pa përmendur edhe cilësitë e tij, duke shtuar me humor: “Unë kisha një talent të jashtëzakonshëm, apo jo?”

Figo foli edhe për vështirësinë e ndalimit të Yamalit në fushën e lojës. Ai e konsideroi të çmendur idenë e një markimi individual gjatë gjithë ndeshjes, duke theksuar se mbrojtësit duhet të tregojnë kujdes të veçantë kur talenti i Barcelonës afrohet në zonën e tyre të mbulimit.

Deklarata e ish-yllit portugez vjen si një tjetër vlerësim për paraqitjet dhe ndikimin e Lamine Yamalit, i cili është shndërruar në një prej futbollistëve më të komentuar të gjeneratës së tij./04 Online/