Martesa është një nga vendimet më të rëndësishme në jetën e njeriut, por përcaktimi i momentit të duhur për të hedhur këtë hap mbetet një çështje që lidhet me pjekurinë emocionale, stabilitetin personal dhe gatishmërinë për përgjegjësi të përbashkëta.
Edhe pse nuk ekziston një moshë universale që garanton një martesë të suksesshme, studimet mbi marrëdhëniet dhe qëndrueshmërinë familjare tregojnë se mosha në të cilën njerëzit martohen mund të ketë lidhje me ecurinë e jetës bashkëshortore.
Rreth moshës 26-vjeçare shihet si mosha ideale në një anketë ndërkombëtare
Një anketë e Qendrës Kërkimore Pew, e realizuar në vitin 2024 në 18 shtete, tregoi se mosha mesatare që pjesëmarrësit e konsideronin ideale për martesë ishte 25.9 vjeç.
Megjithatë, mendimet ndryshonin dukshëm nga një shtet në tjetrin. Në Argjentinë, mosha ideale e përmendur ishte 28.9 vjeç, ndërsa në Bangladesh 21.2 vjeç.
Këto rezultate tregojnë se perceptimi për kohën e duhur të martesës ndikohet edhe nga kultura, traditat dhe kushtet shoqërore.
A sjell martesa në moshë më të madhe më shumë stabilitet?
Një studim i publikuar në revistën Review of Economics of the Household në vitin 2024 analizoi lidhjen ndërmjet moshës së martesës dhe rrezikut të divorcit.
Hulumtimi konfirmoi se në të dhënat statistikore ekziston një lidhje mes martesave në moshë më të re dhe një rreziku më të lartë të ndarjes. Megjithatë, analiza shkencore nuk gjeti prova përfundimtare se martesa më e hershme, te të rriturit 20–25-vjeçarë, shkakton vetvetiu rritje të rrezikut të divorcit.
Kjo është një dallim i rëndësishëm: mosha mund të lidhet me stabilitetin e martesës, por nuk është faktori i vetëm që përcakton suksesin e një marrëdhënieje.
Çfarë ka më shumë rëndësi sesa mosha?
Përtej numrit të viteve, gatishmëria për martesë lidhet me disa faktorë thelbësorë:
- Pjekuria emocionale: aftësia për të menaxhuar konfliktet dhe për të marrë vendime të përgjegjshme.
- Komunikimi: mundësia për të diskutuar hapur problemet dhe pritshmëritë.
- Stabiliteti financiar: aftësia për të planifikuar dhe menaxhuar përgjegjësitë ekonomike.
- Besimi dhe respekti: baza mbi të cilën ndërtohet një marrëdhënie e qëndrueshme.
- Qëllimet e përbashkëta: pajtimi për familjen, fëmijët, karrierën dhe mënyrën e jetesës.
Të dhënat ndërkombëtare e vendosin rreth moshës 26-vjeçare mesataren e perceptimit për kohën ideale të martesës, por kjo nuk përbën një rregull shkencor për të gjithë.
Një martesë e qëndrueshme nuk përcaktohet vetëm nga mosha, por nga cilësia e marrëdhënies, pjekuria e partnerëve dhe gatishmëria e tyre për të ndërtuar një jetë të përbashkët./04 Online/















































