Strategjia shtetërore për apelin e ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet konfidenciale

0
14

Grupi Punues për hartimin e strategjisë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e Apelit do të mblidhet të shtunën, për t’i shqyrtuar të gjitha dokumentet që do të përfshihen në një strategji të vetme.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka theksuar se strategjia do të përfshijë disa dimensione, ndërsa puna e grupit do të zhvillohet kryesisht në mënyrë konfidenciale.

“Është shumë dimensionale ajo se çfarë do të përshijë kjo strategji”, tha Konjufca.

Ai ka bërë të ditur se edhe strategjia përfundimtare që do të hartohet nga Grupi Punues do të jetë konfidenciale.

Sipas tij, kjo lidhet me natyrën e qëllimeve që synon të arrijë ky grup, përkatësisht fitoren e rastit në procesin e Apelit.

“Kjo po bëhet për shkak të natyrës së qëllimeve që dëshiron të arrijë ky grup strategjik, e qëllimi është që me e fitu rastin në procesin e Apelit. Çështjet të cilat diskutohen aty edhe qëllimet tona janë shumë të ndjeshme, kërkoj mirëkuptimin e mediave”, tha ai.