Konjufca: Zgjedhjet e shpeshta e dëmtuan vendin në planin ndërkombëtar, LDK e Aleanca kanë dhënë ide për zgjidhjen e krizës

0
39

Kryediplomati në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca tha se PDK-ja qëndron “në pozicione të njëjta” lidhur me formimin e institucioneve, ndërsa LDK-ja dhe Aleanca kanë dhënë “ide” që mund t’i kontribuojnë daljes nga kriza.

Në një deklarim për gazetarët pas takimit me ministrin e Deleguar për Europën të Francës, Benjamin Haddad, Konjufca tha se me PDK-në s’ka pasur shumë hapësirë për diskutim.

“Sa i përket Partisë Demokratike, është dukur që nuk ka pasur edhe shumë hapësirë për diskutim, meqenëse ata ndodhen në pozicione të njëjta. Mendojnë që presidenti duhet të jetë i PDK-së”, tha ai.

“Por Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë mendimin e saj se mund të ketë bashkëpunim sa i përket zgjidhjet së një presidenti i cili do të ishte reprezentativë për të gjithë, i cili do të ishte njëfarë lloj emëruesi i përbashkët i këtyre dy subjekteve politike. E po ashtu e përshëndes edhe qëndrimin e Aleancës, sepse krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar kur refuzonin çfarëdo pjesëmarrje në seancë dhe mendonin që kuorumi vetëm duhet të bojkotohen, kësaj radhe po shprehin, po japin ide të cilat ma merr mendja që i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize në të cilën ndodhemi”, shtoi Konjufca.

Ai tha se “secili që jep ide – jo në drejtim të si do të shkojmë në zgjedhje, por në drejtim të si do t’i evitojmë zgjedhjet – është i mirëseardhur”.

Nënkryetari i LVV-së tha se zgjedhjet e shpeshta e dëmtuan vendin.

“Sepse vërtetë tri palë zgjedhje ishin prej shkurtit të vitit të kaluar dhe kjo Kosovën me thënë të drejtën e ka lodhur, e ka dëmtuar në kuptimin e përfaqësimit, edhe në planin ndërkombëtar. Unë e kam shprehur shpesh këtë gjë. Do me thënë, kudo që shkohet dhe dëshiron të zhvillosh projekte të caktuara me qeveritë e vendeve të tjera, ata – natyrisht që kjo edhe ndodh, siç ndodhi edhe me Francën tash që e patëm një vizitë shumë të mirë, por ka edhe qeveri të cilat thonë që duhet të presim, duhet të ndodhë konstituimi i Parlamentit, zgjedhja e qeverisë së re… E nëse këto momente janë të shpeshta, për shembull dy herë në vit, tri herë në vit, kjo me të vërtetë nuk ka qysh i bën mirë Republikës së Kosovës”, tha ai.

Konjofca theksoi se sheh gatishmëri të sinqertë te LDK-ja dhe Aleanca.

“Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dhënë ide të cilat e shprehin një sinqeritet sa i përket gatishmërisë së tyre që të mos dërgohet më vendi në zgjedhje të reja, por të ulemi dhe ta gjejmë bashkë një zgjidhje për këtë fazë”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here