Një megaaksion policor kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit është ndërmarrë në Prizren dhe Suharekë. Pas një periudhe të gjatë vëzhgimi, informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe zbatimit të masave të fshehta hetimore, Krimet Ekonomike kanë nisur bastisjet në disa lokacione, ku dyshohet se zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e bixhozit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se operacioni është ndërmarrë në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga njësitë për hetimin e krimeve ekonomike, me qëllim goditjen e organizimit të dyshuar të lojërave ilegale të fatit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bastisjet po zhvillohen në disa lokacione në Prizren dhe Suharekë, në bazë të urdhëresave të lëshuara nga gjykata kompetente.
Aksionit i ka paraprirë një periudhë e gjatë e punës hetimore, gjatë së cilës janë ndërmarrë vëzhgime, janë siguruar informacione operative dhe janë zbatuar masa të fshehta hetimore për identifikimin e lokacioneve dhe personave të dyshuar.
Në shënjestër pajisjet e bixhozit, paratë dhe provat elektronike
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve, hetuesit kanë në fokus pajisjet që dyshohet se janë përdorur për organizimin e lojërave të fatit, paratë e gatshme, telefonat celularë, pajisjet DVR dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova materiale.
Përmes këtyre veprimeve, hetuesit synojnë të dokumentojnë mënyrën e funksionimit të veprimtarisë së dyshuar, personat e përfshirë dhe lidhjet eventuale ndërmjet lokacioneve që janë objekt i kontrolleve.
Operacioni është rezultat i një hetimi të parapërgatitur, ndërsa bastisjet po zhvillohen për të siguruar prova që mund të përdoren në procedurën penale.
Deri në këto momente, nuk ka informacione të konfirmuara për numrin përfundimtar të lokacioneve të kontrolluara, personat eventualisht të arrestuar apo sasinë dhe vlerën e sendeve të sekuestruara.
Gazeta Sinjali po përcjell zhvillimet e këtij operacioni dhe do të raportojë për rezultatet e bastisjeve sapo të sigurojë informacione të reja./Gazeta Sinjali/















































