E rrahu bashkëshorten me thikë e brisk në dorë – 45-vjeçari përfundon në ndalim në Prizren

0
65
Foto: Ilustrim

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së hënës në Prizren, ku një burrë dyshohet se sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë ndërhyrjes policore iu gjetën edhe një thikë dhe një brisk xhepi.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është I.H.K. (45 vjeç), ndërsa viktimë është Z.H.K. (45 vjeç).

Sipas informacioneve, rasti është raportuar në Polici nga vëllai i viktimës, i cili ka njoftuar se dhëndri i tij po e keqtrajtonte motrën.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar palët në stacion policor. Gjatë intervistimit, viktima ka deklaruar se pas një debati verbal, bashkëshorti e kishte sulmuar fizikisht, ndërsa fëmijët e tyre kishin ndërhyrë për ta ndalur.

Sipas Policisë, në momentin e incidentit i dyshuari mbante në dorë një thikë dhe një brisk xhepi, të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari ishte edhe nën ndikimin e alkoolit, ku testi i alkoolit rezultoi 0.77 promilë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa 45-vjeçari është ndaluar për 48 orë.

Rasti është në fazën e hetimeve./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here