Blerim Saramati kritikon Komunën e Prizrenit për gjendjen në komunikacion dhe urbanizëm

0
87

Kryetari i Partisë së Gjelbër për Kosovën, Blerim Saramati, ka reaguar ndaj gjendjes së komunikacionit dhe zhvillimeve urbanistike në Prizren, duke e cilësuar situatën si pasojë të keqqeverisjes dhe mungesës së vizionit institucional.

Saramati ka ngritur shqetësimin për ndërtimet përgjatë segmentit rrugor T&A – Pompa Arbëria, duke vlerësuar se lejimi i objekteve në të dy anët e rrugës po pamundëson zgjerimin e saj në të ardhmen.

Ai ka kritikuar Komunën e Prizrenit dhe Drejtorinë e Urbanizmit për mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit, duke theksuar se interesi publik nuk duhet të sakrifikohet për interesa të ngushta. Saramati ka theksuar se reagimi i tij nuk ka prapavijë politike, por synon mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

Reagimi i plotë

SKANDALI URBAN NË PRIZREN, HESHTJA E KOMUNËS PO NA MERR TË ARDHMEN

Prizreni sot nuk është thjesht një qytet me probleme trafiku, është një qytet që po mbytet nga keqqeverisja urbane, nga mungesa e vizionit dhe nga vendime që favorizojnë interesat e ngushta në dëm të interesit publik.

Ajo që po ndodh me komunikacionin në qytet nuk është më shqetësim ditor, është alarm publik. Kolonat e pafundme, bllokadat e vazhdueshme, pamundësia për lëvizje normale, deri te bllokimi i mjeteve emergjente, këto nuk janë rastësi. Këto janë rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit institucional.

Por kulmi i këtij dështimi është mënyra se si po trajtohet një nga akset më strategjike të qytetit,rruga që lidh Prizrenin Veri me tranzitin, e njohur nga qytetarët si segmenti T&A – Pompa Arberia.

Në vend që kjo rrugë të planifikohej si një arterie moderne me katër korsi, siç e kërkon logjika urbane dhe nevoja reale e qytetit, sot jemi dëshmitarë të një skandali urbanistik, lejimi i ndërtimeve në të dy anët e saj, duke e ngushtuar përfundimisht trasenë dhe duke e bërë të pamundur zhvillimin e saj të duhur.

Kjo nuk është gabim teknik. Kjo është papërgjegjësi e pastër.

Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria e Urbanizmit nuk mund të fshihen më pas arsyetimeve burokratike. Lejet e ndërtimit nuk bien nga qielli, ato jepen. Dhe kur ato jepen në kundërshtim me interesin afatgjatë të qytetit, atëherë kemi të bëjmë me dështim të qartë institucional dhe me pasoja që do të paguhen për dekada.

Sot po ndërtohen objekte. Nesër do të ndërtohet bllokada.

Është e papranueshme që një projekt me rëndësi jetike për qytetin të sakrifikohet për shkak të mungesës së guximit për të marrë vendime të drejta. Është e papranueshme që interesat e disa individëve të vendosen mbi interesin e mijëra qytetarëve. Është e papranueshme që Prizreni të trajtohet si hapësirë improvizimi dhe jo si qytet me plan.

Dua të jem shumë i qartë, ky reagim nuk është në shërbim të asnjë partie dhe as kundër një tjetre. Në një klimë ku çdo kritikë etiketohet si sulm politik, unë refuzoj këtë logjikë të rrezikshme. Nuk jam as i dikujt, as kundër dikujt, jam në anën e interesit publik.

Dhe interesi publik sot kërkon përgjegjësi.

Prandaj kërkoj publikisht:

* Ndërprerjen e menjëhershme të çdo leje ndërtimi që cenon trasenë e segmentit T&A – Pompa Arberia.
* Transparencë të plotë nga Drejtoria e Urbanizmit për të gjitha vendimet e marra për këtë aks.
* Rishikim urgjent të planifikimit për ndërtimin e një rruge me katër korsi.
* Mbajtje përgjegjësie për çdo vendim që ka dëmtuar këtë projekt strategjik.

Nëse nuk veprohet tani, kjo do të mbetet si një nga gabimet më të rënda urbane të Prizrenit. Ose e shpëtojmë sot këtë rrugë, ose nesër do të jetojmë të bllokuar nga gabimet tona.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here