Vetëm një javë pas rikthimit të saj në muzikë me një projekt të ri, Besa Tafari ka vendosur të flasë hapur në një rrëfim mjaft të pritshëm për “Prive By Liberta Spahiu.
Për më shumë se dy dekada, marrëdhënia mes saj dhe motrës së saj, Dafina Zeqirit, ishte e rrethuar nga thashethemet për një raport mjaft të ftohtë. Prania e Besës në dasmën e yllit të pop-it u duk se i fshiu këto zëra, duke u komentuar gjatë si një ribashkim përrallor.
Gjatë intervistës, fjalët e Besës ishin sa të matura, aq edhe prekëse. Ajo tregoi një dashuri për të motrën, duke u shprehur e emocionuar:
“E respektoj dhe e dua pafund. Nëse dikush më merr në telefon nesër dhe më thotë se motrës sime i duhet një veshkë, unë do të isha e para që do t’ia jepja”.
Megjithatë, ajo sqaroi se sot të dyja kanë jetët dhe familjet e tyre të vogla, duke ndjekur rrugë të ndryshme. Por, përtej fjalëve të bukura, një detaj që nuk u shpëton kurrë syve të mprehtë të publikut është se motrat nuk ndiqen as në Instagram, gjë që dëshmon se krisja mes tyre vazhdon të mbetet aktive edhe në botën digjitale.















































