Adrenalina në timon dhe gara tragjike, sinjal për të rinjtë, prindërit, policinë dhe shoqërinë

0
1292

Nata midis të shtunës e të dielës, ku humbën jetën tre të rinj, ndërsa tre të tjerë u lënduan nga gara e paligjshme tek hyrje-dalja Veri afër Prizrenit në autostradë, është ndër më të rëndat dhe të kobshmet pas lufte, jo vetëm në rajonin e Prizrenit dhe të Gjakovës, por në tërë Kosovën.

Këtë e kam përjetuar edhe unë, së pari si njeri, prind, dhe gazetar. Menjëherë pas njoftimit për lajmin tragjik, ndonëse në orët e mesnatës, na kanë kontaktuar shumë miq e qytetarë, e madje na kanë shkruar edhe lexues, duke kërkuar më shumë informacione për të aksidentuarit dhe ngjarjen. Të gjithë kanë qenë të shqetësuar. Kjo dukej nga zëri dhe këmbëngulja e tyre për informacione.

Shqetësim përbëjnë përpjekjet e vazhdueshme për organizimin e aktiviteteve të tilla në këtë pjesë.  Brenda dy vitesh, zyrtarisht dihet edhe për tri raste të tjera të garave të paligjshme për të bërë ngasje të rrezikshme ( Drifte ). Sipas informacioneve nga qytetarët, në atë vend, shihen shpesh grupe të rinjsh me qëllim të shfaqjes së pasionit të tyre.

Për parandalimin e garave të tilla, Policia ka ndërhyrë disa herë. Në qershor, Policia ka parandaluar garën e shpejtësisë, derisa ka shqiptuar 17 gjoba për kundërvajtjet në trafik, afër rreth-rrotullimit të autostradës – dalja Prizren-Veri.

Në prill (2023),  Policia po ashtu parandaloi garat të ngjashme. Para dy vitesh, Policia është përballur me disa persona, të cilët kishin organizuar një aktivitet me vetura dhe motoçikleta (të zhurmshme). Kur Policia dhe inspektorët e AVUK-ut kanë filluar të kërkojnë dokumentet,  rreth 60 persona u janë vërsulur zyrtarëve policorë,  dhe se për të vënë nën kontroll situatën zyrtarët policorë kanë përdorur sprejin”.

Kjo tregon se sa e rrezikshme është bërë ajo pjesë. Për këtë konsiderojmë se Policia duhet angazhuar vazhdimisht për parandalimin e garave të tilla dhe ngasjes së rrezikshme, dukuri që rrezikon jo vetëm jetën e pjesëmarrësve në këto aktivitete, por edhe të shikuesve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Gjithsesi, duhet pasur parasysh pasojat psikologjike dhe postraumat në rastet e fatkeqësive, siç ndodhi së fundi. Pos tre djemve që humbën jetën në moshën më të mirë, paramendoni gjendjen e tashme psikologjike , të dy shoferëve që shkaktuan aksidentin, të tre të lënduarve të tjerë, të dëshmitarëve të ngjarjes, dhe të familjarëve të viktimave.

Konsiderojmë se tragjedia e fundit është një alarm, se në kyçjet (hyrje-dalje të autostradës ) duhet mbikëqyrje e shtuar policore. Kjo jo vetëm për të gjobitur,  por në raste më të lehta konform rrethanave, të veprohet për Parandalimin e veprimeve kundërvajtëse.

Shkruan: Qazim MORINA – Gazetar

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply