Xhaka e krahason Le Brisin me legjendën e Arsenalit

0
43

Granit Xhaka ka punuar me disa prej trajnerëve më elitarë gjatë karrierës së tij. Mesfushori kosovar është vlerësuar nga emra të mëdhenj si Arsene Wenger, Unai Emery, Mikel Arteta dhe Xabi Alonso, gjatë aventurave të tij te Arsenali dhe Bayer Leverkuseni.

Por kur Xhaka e përshkruan një trajner si “shumë, shumë të veçantë”, fjalët e tij marrin një peshë të veçantë.

33-vjeçari ka folur me superlativa për trajnerin aktual të Sunderlandit, Regis Le Bris, duke e krahasuar atë me ish-trajnerin legjendar të Arsenalit, Arsene Wenger.

Në një intervistë për “TNT Sports”, Xhaka ka rrëfyer vlerësimin e madh që ka për Le Brisin, para përballjes së Sunderlandit me ish-skuadrën e tij, Arsenalin, ndeshje që zhvillohet të shtunën nga ora 21:00.

Kapiteni i Sunderlandit dhe i Zvicrës sheh disa ngjashmëri të qarta mes Le Brisit dhe Wengerit.

“E quaj atë Arsene Wenger i vogël. Si njeri, ai është i jashtëzakonshëm. Shumë i qetë, nuk është person që bërtet. Ai i ka gjitha zgjidhjet dhe taktikisht është i mrekullueshëm. Dhe për të, për të gjetur ekip të ri, tani lojtarë të rinj, besoj nuk është e lehtë. Por ai e ka treguar se është trajner i madh, e ka treguar se mund ta rrisë këtë ekip, lojtarët. Jam shumë falënderues që kam një trajner si ai”, ka deklaruar Xhaka.

Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar, me kërkesë të drejtpërdrejtë të Le Brisit. Në sezonin e tij të parë me klubin anglez, Xhaka dhe Sunderland arritën të siguronin kualifikimin në Ligën e Evropës.

Tash, përballja me Arsenalin do të jetë një tjetër sfidë e veçantë për mesfushorin kosovar, i cili do të përballet me ish-skuadrën e tij.