Raporti i Progresit për Kosovën tha se lufta kundër korrupsionit ka shënuar “përparim të kufizuar” në Kosovë, duke vënë në pah se numri i rasteve ku nuk përfshihen zyrtarët e lartë është rritur ndjeshëm, por ka rënë ai i rasteve ku të përfshirë janë zyrtarët e lartë.
Raporti, i hartuar nga Komisioni Europian, mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, raporton Gazeta Express.
“Kosova ndodhet ndërmjet një faze të hershme të përgatitjes dhe një niveli të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit dhe ka shënuar përparim të kufizuar. Sa u përket rasteve të korrupsionit që nuk përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, numri i vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe i dënimeve është rritur ndjeshëm. Megjithatë, në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë është shënuar rënie e numrit të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe e dënimeve”, thuhet në raport.
Raporti vë në dukje gjithashtu se Kosova ende nuk ka një kornizë gjithëpërfshirëse strategjike për luftimin e korrupsionit dhe i mungon një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve kundër tij.
Megjithatë, raporti thotë se Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është në përputhje me legjislacionin më të fundit të BE-së në këtë fushë.
“Numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar pothuajse krahasuar me vitin e kaluar. Kjo tregon një prirje më të madhe për raportimin e praktikave korruptive”.
Për më tepër, APK-ja ka dëshmuar qasje proaktive dhe ka përcjellë në mënyrë të kënaqshme rastet e referuara te autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit për veprime të mëtejshme.
Agjencia ka arritur me sukses të trajtojë dorëzimin dhe regjistrimin e deklarimeve të pasurisë, por duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të forcuar kontrollin dhe verifikimin efektiv të këtyre deklarimeve, thuhet në raport.
Raporti thotë se shumica e institucioneve publike i kanë dorëzuar me kohë planet e integritetit, por ato duhet të zbatohen në mënyrë më efektive.
“Njëkohësisht, Kosova ka vazhduar të kryejë vlerësime të rrezikut në sektorët veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit”.
Ndërkohë, ay thuhet se rekomandimet e Komisionit Europian të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
Gjatë vitit të ardhshëm, Kosova duhet:
– të përmirësojë parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit duke rritur më tej kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në aspektin e personelit dhe ekspertizës, si dhe duke siguruar që institucionet publike të miratojnë planet e integritetit dhe t’i zbatojnë ato plotësisht, përfshirë përmes mekanizmave të përshtatshëm të raportimit;
– të sigurojë zbatimin e legjislacionit ekzistues kundër korrupsionit dhe të miratojë një strategji kombëtare dhe plan veprimi kundër korrupsionit për periudhën 2026–2028, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira europiane;
– të forcojë përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të rrisë kapacitetet e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë dhe të sigurojë bashkëpunimin e saj efektiv me Prokurorinë Speciale.















































