Flokët e thatë dhe të dëmtuar nga nxehtësia, larja e shpeshtë dhe faktorët e jashtëm kanë nevojë për kujdes të veçantë. Një përzierje me vaj bajameje, mjaltë dhe gjalpë kakao mund të përdoret si maskë kozmetike për zbutjen dhe përmirësimin e pamjes së tyre.
Vaji i bajameve dhe gjalpi i kakaos përmbajnë përbërës yndyrorë që ndihmojnë në zbutjen e fijes së flokut, ndërsa mjalti përdoret në formulime kozmetike për vetitë e tij hidratuese. Megjithatë, nuk ka prova të mjaftueshme klinike që kjo përzierje riparon dëmtimet e thella apo nxit rritjen e flokëve.
Si përgatitet maska?
Përzieni një lugë gjelle vaj bajameje, një lugë të vogël mjaltë dhe një lugë të vogël gjalpë kakaoje të shkrirë. Shtoni pak qumësht për ta bërë përzierjen më të lehtë. Aplikojeni në gjatësinë e flokëve, lëreni për 15–20 minuta dhe më pas shpëlajeni mirë me shampo.
Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, përdorimi i balsamit pas larjes ndihmon në zbutjen e flokëve, lehtëson krehjen dhe zvogëlon këputjen e fijeve. Rekomandohet gjithashtu kufizimi i pajisjeve me nxehtësi të lartë.
Kujdes: Përzierja duhet të përgatitet në sasi të vogël dhe të përdoret menjëherë, pasi përmban qumësht. Personat me alergji ndaj përbërësve duhet ta shmangin, ndërsa në rast të rënies së vazhdueshme të flokëve rekomandohet konsultimi me dermatologun./04 Online/















































