Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kujdesen për ruajtjen e teksteve dhe materialeve shkollore të subvencionuara për nxënësit e klasave 1 deri në 9, pasi ato duhet të kthehen në shkollë në përfundim të vitit mësimor.
“Në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MASh Nr. 13/2016 për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, dhe Deklaratën e prindit/kujdestarit ligjor përfitues të subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2026-2027, nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe kthimin e teksteve shkollore bazë në gjendje të përshtatshme për ripërdorim. Dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës, në përfundim të vitit mësimor.
Ndërkaq, për t’u siguruar se mjetet e subvencionimit janë përdorur për blerjen e teksteve shkollore, Ministria tha se Inspektorati i Arsimit nga java e ardhshme, përmes vizitave në shkolla, do të nisë procesin e verifikimit se nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore dhe që procesi mësimor po vijon i rregullt.
MASH u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kujdesen për ruajtjen e teksteve shkollore, në mënyrë që ato të mund mësojnë dhe shërbehen gjeneratat e ardhshme të nxënësve.















































