Sunny Hill Festival po vazhdon të mbledhë mijëra vizitorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, të cilët vlerësojnë atmosferën, organizimin dhe emrat e njohur të muzikës që performojnë në festival.
Një vizitor nga Mitrovica, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se ka ardhur për të dytin vit radhazi në Sunny Hill, duke e cilësuar festivalin si një ngjarje me atmosferë shumë të mirë.
“Jam prej Mitrovicës por jetoj në Amerikë. Kam ardhë në Sunny Hill se është një festë zakonisht e madhe edhe atmosfera më duket shumë, shumë e mirë. Për atë arsye kam ardhë…Jo, kam qenë edhe vitin e kaluar. Kisha thënë ndoshta MC Kresha ose Buta. E Katy Perry? Edhe Katy Perry më ka pëlqyer, po kështu a din, nuk është që ia kam ditur këngët bash mirë, ama i ka këngët kështu ikonike, a din, nostalgjike besoj”, tha ai.
Edhe Diell Dibra nga Prishtina u shpreh se kishte ardhur për të ndjekur performancën e grupit PINT, duke vlerësuar organizimin dhe atmosferën e festivalit.
“Unë jam Diell Dibra, e jam nga Prishtina dhe jam ardhë për me i dëgju Pintat…Po më pëlqejnë qysh këndojnë edhe janë shumë interesant në këndim. Çka të pëlqen tjetër në Sunny Hill? Po më pëlqen qysh është organizu, po më pëlqejnë këngëtarët e kështu të tjera”, tha ai.
Ndërkohë, Ermal Zeqiri nga Drenica tha se ai dhe shoqëria e tij e vizitojnë Sunny Hill çdo vit, duke treguar se preferojnë skenën e muzikës elektronike dhe artistë si PAËSA.
“Paj, mirë po duket, shumë mirë. Vijmë çdo vit në Sunny Hill. Më shumë jemi ardhë për steixhin tjetër, për çka të është… se jemi pak më shumë te kjo muzika elektronike, për Pauzën…Bashkë, bashkë jemi ardhë”, tha ai.
Përshtypje pozitive ndanë edhe vizitorë nga Turqia, të cilët po vizitojnë për herë të parë Kosovën dhe Sunny Hill Festival.
Ata e cilësuan festivalin si një përvojë të shkëlqyer, duke vlerësuar performancat e Katy Perry dhe Manifest, si dhe organizimin e ngjarjes.
“Po, jemi nga Turqia. Kjo është hera e parë që vijmë në Kosovë dhe gjithashtu hera e parë që marrim pjesë në Sunny Hill. Po, është hera jonë e parë. Deri tani po kalojmë një përvojë shumë të mirë. Performanca e Katy Perry ishte vërtet fantastike. Po ashtu edhe Manifest. Tani po presim Dua Lipën dhe mezi presim ta dëgjojmë duke kënduar disa nga këngët e saj. Sunny Hill është shumë i mirë, do të thosha fantastik. Ne nuk mund të organizojmë festivale të tilla në Turqi, prandaj mendojmë se ky është festivali më i madh në Evropë. Jemi krenarë për ju. Është vërtet shumë i mirë.”, tha ajo.
Edhe Aleyna Aydın nga Turqia tha se kishte ardhur së bashku me kolegët e saj për të ndjekur festivalin, duke shtuar se përvoja ka qenë më e mirë sesa e kishte pritur dhe se Prishtina është një qytet shumë i bukur.
“Emri im është Aleyna Aydın. Jam nga Turqia dhe kjo është hera ime e parë në Kosovë, në Sunny Hill Festival. Mendoj se ky është një festival shumë i mirë. Kam ardhur së bashku me kolegët e mi të punës, sepse në këtë festival performojnë Katy Perry dhe Manifest nga Turqia. Njëkohësisht po vizitojmë edhe vendet e Ballkanit. Mendoj se është një qytet shumë i bukur..Si do ta përshkruaje ndjesinë që të jep Sunny Hill? Më bën të ndihem, si ta them, e emocionuar. Mendoj se po e shijoj shumë, madje më shumë sesa e kisha pritur nga një festival. Prandaj më pëlqen shumë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Anila Istogu nga Prishtina theksoi se këtë vit Sunny Hill ka tërhequr shumë turistë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa veçoi Leëis Capaldin si artistin që priste ta ndiqte me më shumë interes.
“Sunny Hill sivjet është shumë mirë. Ka njerëz prej çdo vendi tjetër të botës. Ka shumë turistë, krejtve po iu pëlqen edhe shumë mirë….Cili është artisti yt i preferuar? … Luis Fonsi. Luis, që performon sot”, tha ajo.
Përndryshe, Prishtina mbrëmë mirëpriti një nga artistët më të njohur të muzikës pop në botë. Këngëtari dhe kantautori skocez Lewis Capaldi ishte ylli kryesor i natës së dytë të Sunny Hill Festival 2026, duke u ngjitur në skenën kryesore në orën 22:30.
Fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe autor i hiteve si Someone You Loved, Before You Go, Hold Me While You Wait, Forget Me dhe Wish You the Best, Capaldi rikthehet para publikut kosovar në një prej performancave më të shumëpritura të këtij edicioni. Koncerti në Prishtinë është pjesë e rikthimit të tij në skenat ndërkombëtare, pas një periudhe larg turneve, duke e bërë paraqitjen në Sunny Hill edhe më të veçantë.
Përveç Capaldit, nata e dytë solli në skenën kryesore edhe artistët shqiptarë Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta, EKO dhe Esdeekid, ndërsa në skenën C4 do të performojë DJ britanik PAËSA, një nga emrat më të njohur të muzikës house.
Pas hapjes spektakolare të festivalit të premten me performancën e Katy Perry, organizatorët presin që edhe nata e dytë të mbledhë mijëra adhurues të muzikës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Sunny Hill Festival, i cili zhvillohet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Sunny Hill Festival Park në Bërnicë, konsiderohet një nga festivalet më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore dhe çdo vit e vendos Prishtinën në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve muzikore.
Festivali do të përmbyllet sonte me performancën e DJ-it dhe producentit holandez Martin Garrix, si dhe emra të tjerë të njohur të skenës elektronike, përfshirë Adam Port, Rampa dhe Carlita. /KP















































