Një muaj paraburgim për prizrenasin që ushtronte dhunë ndaj gruas

0
233
Foto: Ilustrim

Përmes një komunikate, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.02.2022, ndaj të pandehurit K.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën dhuna në familje, nga neni 248 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

– Nga data e pavërtetuar, e gjer më 16 janar 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri K.P., si pasojë e problemeve psikike që e kanë afektuar, me dashje në vazhdimësi kryen dhunën ose keqtrajtimi fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të dëmtuarës – bashkëshortes së tij si viktimë e ndjeshme, ashtu që si rrjedhojë e problemeve të vazhdueshme familjare që kishin me të dëmtuarën, vazhdimisht ushtron dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dëmtuarës, dhe me datë 16 janar në momentin kur e dëmtuara kthehet nga puna, me të hyrë brenda në shtëpi, i pandehuri në prezencën e fëmijëve të tyre, e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me shuplaka në fytyrë.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, respektivisht i pandehuri ka kryer veprën panele në dëm të vlerave të shoqërisë e cila mbron integritetin dhe jetën e njerëzve brenda një marrëdhënieje familjare, gjithashtu duke pasur parasysh ambientin në të cilin është kryer vepra penale, pra në shtëpinë e përbashkët të të pandehurit dhe të dëmtuarës, ekziston rreziku se me lënien e të pandehurit në liri apo që ndaj tij të mos caktohet paraburgimi, i njëjti mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, mund ta përfundoj veprën e kanosur penale, por mund të kryej edhe ndonjë vepër penale të natyrës më të rëndë me pasoja më të mëdha për të dëmtuarën dhe për familjen.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, andaj edhe Gjykata vendosi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.

Leave a Reply