Joshua insiston se u ka dhënë fund humbjeve

0
355

Boksieri Anthony Joshua ka insistuar se u ka dhënë fund humbjeve. Ai ka zbuluar se po konsideron një ndryshim në stërvitjet e tij pas disfatës që e pësoi nga boksieri ukrainas Oleksandr Usyk. Joshua, i cili humbi titujt e unifikuar botërorë WBA, WBO dhe IBF nga ukrainasi Usyk, të mërkurën ka insistuar se është gati për luftë ndërsa po bëhet gati për një rimeç të mundshëm. Usyk në fund të muajit të shkuar e mposhti me pikë Joshuan pas 12 raundeve. Mirëpo Joshua ka insistuar se do ta nokautojë Usykun në rimeç, pasi nuk do të mposhtet më.

“Unë u kam dhënë fund humbjeve muajin e shkuar. Usyku do të nokautohet në meçin tjetër, sepse kjo është luftë dhe unë do të përgatitem në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Joshua. “Unë jam duke shkuar në luftën time të 12-të për titullin botëror tani dhe mësimi ka mbaruar. Është thjesht luftë tash e tutje për mua dhe unë jam shumë i mërzitur që jam mposhtur nga Usyku. Po ndihem i nervozuar vetëm duke folur për të”.

Joshua ka kaluar kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga humbja dhe ka punuar me trajnerë të mëdhenj, përfshirë këtu Ronnie Shieldsin, i cili ishte i rëndësishëm në karrierën e Mike Tysonit në ring. Boksieri britanik këmbënguli se nuk po ndahet nga trajneri i vjetër Rob McCracken, por i duhet të zhvillohet edhe më shumë si boksierë duke punuar edhe me trajnerë të ndryshëm për të qenë sa më i gatshëm për meçin e kthimit me Usykun.

“Unë kam nevojë për një trajner të ri për të mësuar nga ai gjëra të tjera gjithashtu”, shtoi ai. “Unë nuk do të qëndroj në SHBA, pasi do të stërvitem në Britani. Kam nevojë të marr mësime shtesë nga trajnerët që kanë stërvitur kampionë bote. Është shumë e rëndësishme për mua që të jem sa më mirë i përgatitur”.

Humbja nga Usyk ka vënë në pritje çdo shpresë të menjëhershme për një përplasje me kolegun britanik Tyson Furyn, mbajtësin e brezit WBC. Megjithatë, Joshua tha se do ta përdorë humbjen nga Usyku si një katalizator për sukses në meçin tjetër. Ndërsa shtoi se pas Usykut beson se do të jetë gati për t’u përballur me Furyn.

“Jam zhdukur për një periudhë, pasi kam punuar për ta kthyer mentalitetin e fituesit. Unë e di nga përvoja dhe historia se çdo humbje më motivon për të vazhduar në nivelin tjetër. Jam i bindur se do të jetë plotësisht gati për t’u rikthyer fuqishëm”, ka insistuar Joshua, që pritet ta ketë rimeçin vitin e ardhshëm.

Humbja nga Usyku ishte e dyta për Joshuan në karrierën si profesionist karshi 24 fitoreve.

Leave a Reply