SHFMU ,,Emin Duraku’’ shënoi 69 vjetorin e themelimit

0
908

Me një program të larmishëm kulturoro – artistik sot SHFMU “Emin Duraku” ka shënuar 69 vjetorin e themelimit.

“Shkolla ‘’Emin Duraku’’ është një nga ato vatrat e dijes e cila tash e gjashtëdhjetë e nëntë vite profesionin edukativ e ka transformuar në një mision të udhëhequr nga vizioni, profesionalizmi dhe dedikimi i pashembullt”, ka thënë në mes tjerash drejtori i kësaj shkolle, Rrahim Bekteshi.

Të pranishëm në shënimin e ditës së shkollës ishin edhe zyrtarë nga DKA-ja dhe MASH-i.

“Me një program të pasur kulturo-artistik para shumë prindërve dhe zyrtarëve nga institucione të shumta shënohet 69 vjetori i SHFMU “Emin Duraku” nga Prizreni.
U ndan mirënjohje dhe lëvdata për nxënës, mësimdhënës, punëtor ndihmës dhe mësimdhënës të ndjerë postmortum.
Para të pranishmēve me fjalë rasti përveq drejtorit të shkollës ma.sc.Rrahim Bekteshi u paraqiten drejtoresha e DKA-së Luljeta Veselaj-Gutaj dhe eksperti i arsimit prof.dr.Xhavit Rexhaj.
Fjala e drejtorit të shkollës sonë
ma.sc.Rrahim Bekteshi
Të nderuar të pranishëm !
Babai i edukimit modern, Komenski, ka përshkruar saktësisht rëndësinë e edukimit përmes thënies së tij: ‘’Të gjithë individët, vajza apo djem, fisnik apo jofisnik, të pasur apo jo të pasur, nga fshati apo nga qyteti duhet të dërgohen në shkollë…shkolla është fabrika e njerëzisë’’. Një tjetër mendje gjeniale, shkrimtari fitues i çmimit Pulitzer për letërsi , Mark van Doren thotë: ‘’Të mësuarit është arti i të asistuarit të zbulimit’’. Kurse rilindasit tanë, ndonjëherë deri në vetflijim, bënë thirrje për arsimin e edukim, për emancipim e zhvillim.
Dija është drita kundrejt errësirës, është paqja ndaj luftës, është shpresa ndaj dëshpërimit, është kura ndaj sëmundjes… dhe në fund është vetë jeta që na rrethon. Sepse pa dijen asnjë nga disiplinat shkencore, artistike, sportive, rekreative nuk do të ishin formuar.
E shkolla është vetë dija. Në shkollë ditë për ditë, mbi sfida e vështirësi, përmes një pune plot përkushtim e parime formësohet mjeku i së ardhmes, inxhinieri, administratori, arkitekti, piktori, ushtari e sa e sa të tjerë.
Shkolla ‘’Emin Duraku’’ është një nga ato vatrat e dijes e cila tash e gjashtëdhjetë e nëntë vite profesionin edukativ e ka transformuar në një mision të udhëhequr nga vizioni, profesionalizmi dhe dedikimi i pashembullt. Prandaj jemi mbledhur këtu sot, për të shënuar gjashtëdhjetë e nëntë vjetorin e themelimit të një prej shkollave më të dalluara në Komunën e Prizrenit dhe më gjerë. Ne sot jemi duke shënuar këtë ditë të rëndësishme për shkollën tonë, e cila më së miri udhëhiqet nga parimet e Komenskit apo të atyre pas tij, shkollë e cila ngërthen në vete një korpus ushtarësh të dijeve dhe talenteve të cilët do të jenë vizionarë të së ardhmes së secilit prej nesh.
Që nga hera e fundit kur u shfaqëm në këtë skenë para një viti të plotë, shkolla jonë ka qenë aktivisht e angazhuar në sfera të ndryshme, duke mbajtur me krenari piedestalin e shkollës model që ajo përfaqëson.
Në vazhdën e këtij angazhimi jehonë e drejtë iu bë formimit të Ekipit Mobil që në hapje të vitit shkollor 2023/2024, i cili intensivisht ndihmoi prindërit për të aplikuar në procesin e rimburisimit të të hollave për blerjen e librave, një organizim i vetëm i llojit të tij. E të njejtës rrymë produktive dhe inovative ishte krijimi i Ekipit për Rritjen e Cilësisë dhe angazhimi i stafit mësimdhënës në mbajtjen e orëve të mësimit plotësues në përpjekje për të ndërmarrë hapa konkret për rritjen e cilësisë së arsimit. Të gjithë mësimdhënësit, pa kompenzim shtesë, në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar edhe sot akoma angazhohen pas orarit mësimor që t’i japin një shtytje pozitive përpjekjeve të nxënësve për ngritje arsimore.
Për çdo festë e manifestim fryma e punës dhe e bashkëpunimit mbush muret, dritaret dhe korridoret me punën artistike të piktorëve tanë të cilët mbi fletët e bardha derdhin shpirtin krijues dhe talentin e pashoq, kurse instrumentet muzikore që u nënshtrohen mjeshtërisë sublime të nxënësve tanë muzicientë akoma më shumë e plotësojnë harmoninë edukative dhe artistike e cila jeton në simbiozë me talentin në fjalë. Mjeshtër të kalibrit profesional u treguan nxënësit tanë artistë gjatë shënimit të festave të Nëntorit, festës së pavarësisë së Kosovës, 7 dhe 8 Marsit, Epopesë së UÇK-së, shënimit të Ditës së Pianos, Ditës së Librit e plot manifestimeve të tjera.
Të njejtin shkëlqim por të veshur me triumf treguan nxënësit tanë sportistë të cilët në garat republikane në basketboll i sollën shkollës sonë kupën e vendit të parë, duke e mbajtur kështu gjallë traditën e fitoreve sportive.
Ky është një rezultat i përzierjes së angazhimit të jashtëzakonshëm dhe talentit olimpik të këtyre djemve dhe vashave të palodhura. Edhe në kuadër të shkollës vazhdimisht janë organizuar turnire në disiplina të ndryshme sportive të cilat e vulosin edhe më shumë përkushtimin kolektiv.
Të nxitur nga po i njejti vullnet dhe angazhim ishin edhe organizimet e kuizeve në lëndët shkollore, si nga lëndët histori, gjeografi, teknologji etj.
Ndërsa ajka e cila krenarisht dëshmoi kapacitetin intelektual dhe dijen cilësore që kultivohet në shkollën tonë ishte të fituarit e kuizit mbi trashëgiminë kulturore në të cilin shkolla jonë, në një garë në nivel komunal me shkollat e tjera, e zuri vendin e parë.
Ndër virtytet të cilat shkolla jonë ka për tendencë t’ua përçoj nxënësve është të bashkëndjerit me të tjerët në nevojë, me ata të cilët kanë nevojë që të u zgjatet një dorë ndihme. Në shërbim të kësaj tradite vjetore, nxënësit kanë bërë shitblerjen e ushqimeve me rastin e shënimit të ditës së Ushqimit të Shëndoshë, si dhe shitjen e kartolinave me rastin e festës së Vitit të Ri, mjete të cilat u janë shpërndarë familjeve të nxënësve të shkollës sonë, të sfiduara ekonomikisht.
Të gjitha këto të arritura do të ishin më të vështira për t’u realizuar teknikisht pa donacionet bujare nga ana e prindërve dhe të tjerëve. Falenderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar vullnetarisht, shpesh here në mënyrë anonime, duke siguruar videoprojektorë dhe tabela të mençura të cilat janë vendosur në klasa, karrige për kabinete, perde shkollore, dekore etj.
E çmojmë sinqerisht gatishmërinë tuaj për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve përmes pajisjeve bashkëkohore të cilat e bëjnë punën nëpër klasa më atraktive dhe më praktike.
Gjashtëdhjetë e nëntë vite më vonë shkolla jonë operon me kapacitete të plota, me klasa nga cikli parashkollor deri tek klasat e nënta…një strukturë arsimore e cila strehon në kupolën e saj edukative mijëra nxënës.
Një numër i tillë i madh i nxënësve padyshim që kërkon angazhim të lartë menagjues dhe administrues, krahas punës së mësimnxënies e cila është esenca jetike e kësaj shkolle.
Angazhimin si drejtor i shkollës ‘’Emin Duraku’’ nuk do të mund ta mbërtheja plotësisht pa kontributin e secilit prej jush: mësimdhënësve lëndor dhe klasor, stafit administrues dhe mbështetës, stafit teknik, prindërve bashkëpunues dhe nxënësve të përkushtuar, donatorëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Prandaj dua të shpreh falenderimin tim për punën e secilit prej jush, sepse duke bashkëvepruar ngushtë dhe në mirëbesim të plotë kemi krijuar shkollën-epitom të suksesit, cilësisë dhe përparimit bashkëkohor që të gjithë njohim.
Uroj që shkolla ‘’Emin Duraku’’ të plotësoj shekullin e përtej tij, duke mbetur përherë një shkollë e cila qëndron dinjitoze karshi ëndrrave dhe aspiratave të të gjithë atyre të rënëve të lirisë që sot janë pjesë e historisë së lavdishme e cila vuri themelin për arsimim, edukim e përparim kombëtar!
Ju faleminderit!”, thuhet në njoftimin e shkollës./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here