Komuna e Prizrenit shkel me dy këmbë të drejtat dhe liritë e njeriut!

0
762

Në vitin 2007, flaka e zjarrit të padrejtësisë shkatërroi kadastrin në Komunën e Prizrenit. Nga ajo ditë e mjerueshme, kanë kaluar 17 vite, por asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë për të restauruar të drejtën themelore të pronësisë për qytetarët e Prizrenit. Pas 17 vitesh, pamundësia për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet me dokumentacionin e pronave është shembulli më flagrant i paaftësisë së shtetit për të garantuar të drejtat themelore të qytetarëve.

Qytetarët e Prizrenit, në vend që të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për pronë, ata sorollaten përballë dyerve të mbyllura të zyrave komunale, duke kërkuar vetëm një të drejtë elementare që u garantohet atyre nga Kushtetuta dhe ligji ndërkombëtar: të drejtën e pronësisë. Por në vend që të gjejnë zgjidhje, ata përballen me një mur të pazgjidhshëm të indiferencës.

Kjo mospërfillje e drejtësisë është shenjë e një shteti të dështuar që në vend që të shërbejë si mbrojtës i ligjit dhe garantues i të drejtave të qytetarëve, është shndërruar në një simbol të paaftësisë së shtetit për të ofruar drejtësi dhe barazi për qytetarët e tij.

Nëse institucioni është indiferent ndaj të drejtave themelore të qytetarëve për të ofruar drejtësi dhe për të siguruar të drejtën themelore të pronësisë për qytetarët e tij, atëherë cili është qëllimi i tij? Si mund të thuhet se ekziston ligji dhe rendi në një vend pronat e qytetarëve janë të përbuzura për dekada të tëra? Në një shoqëri pa drejtësi, nuk ka as liri, as zhvillim, as shpresë.

Shkruan: Blerim Q. SARAMATI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply