Politikania boshnjake: Marrëveshja për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi pati përkrahjen e SHBA-së

0
296

Politikania boshnjake, Sabina Çudiq, në një shkrim në Facebook, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim e madje edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje për shkëmbim territoresh. Të mërkurën, teksa ka shprehur kundërshtimet e saj për një plan të Matthew Palmerit, tash person përgjegjës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbikëqyrur programin e reformës zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje ka thënë se ai mund të jetë edhe autor i planit.

Ajo ka thënë se ishte takuar dhe përplasur me Palmerin në Washington në prill të 2019-s, pas një paneli ku ka qenë bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, atëkohë pjesë e ekipit negociator të Kosovës.

“Biseda jonë u bë e pakëndshme kur e pyeta direkt se a është në dijeni për ndikimet e përkrahjes së tij (potencialisht autorësisë) për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Po atë ditë, një zyrtar i Ambasadës së Serbisë në Washington, duke menduar se dija më shumë atëkohë, më tha se një marrëveshje është arritur dhe se po kërkohej një moment adekuat e i përshtatshëm që administrata Trump ta paraqiste marrëveshjen si historike”, ka shkruar ajo në hyrje të shkrimit të saj.

Tutje, Çudiq ka thënë se në mbrëmje në takim me Palmerin kishte ardhur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA atëkohë, Vlora Çitaku. Madje, sipas boshnjakes, ish-ambasadorja e Kosovës i ka dalë në mbrojtje Palmerit duke më pyetur se “përse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë?”

“Iu përgjigja se ndikimet katastrofike për Bosnjë-Hercegovinën ishin të pashmangshme, por edhe për tërë Ballkanin. Ditën e nesërme, Çitaku dhe unë ishte paraparë të kishim një takim të përbashkët e të mbyllur në Këshillin Kombëtar të Sigurisë amerikane. Agjenda ndryshoi në minutën e fundit – u informova se do të më duhej të largohesha pas adresimit tim, para se të niste diskutimi për Kosovën. Fola për kërcënimet e sigurisë lidhur me vazhdimin e politikës së zbutjes së forcave destruktive të djathta në BeH”, ka vazhduar ajo.

E kontaktuar nga KOHA, Çitaku ka refuzuar të komentojë. E Ahmeti ka thënë se nuk është në dijeni për këto biseda. 

“Nuk jam në dijeni për këto biseda në kokteje. Besoj se mund ta pyesni edhe Sabinën”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Çudiqit, plani për shkëmbim territoresh atëkohë u ndal nga opozita në Kosovë, falë angazhimit në Bashkimin Evropian e Senatin Amerikan.

E planin e Palmerit për reformë zgjedhore në BeH, Çudiq po e kundërshton duke e cilësuar selektiv, të rrezikshëm e destruktiv. Plani i Palmerit parasheh, sipas Çudiqit, “marrjen e vendimeve për Bosnjë-Hercegovinën në Zagreb dhe Beograd dhe në fund shpërbërjen e Bosnjës”.

Presioni i planit të Palmerit është i fokusuar në partitë pro-boshnjake, ka akuzuar ajo duke kërkuar qartësim nga Palmeri për rrjedhjen e planit të tij. Ajo e ka akuzuar Palmerin se nuk po bën presion në palët destruktive në Bosnjë. Çudiq ka kërkuar nga administrata amerikane të distancohet nga qëllimet e Palmerit.

Një ditë para seancës në Kongres për angazhimin amerikan në Ballkan, ajo ka thënë se është rasti që SHBA-ja të vendosë për orientimin e saj në Bosnjë ose “të shkatërrojë dekada të trashëgimisë së saj në Ballkan”.

Çudiq është zëvendëspresidente e partisë “Nasha Stranka” (Partia Jonë) në Sarajevë.

Këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj ka reaguar ndaj këtij shkrimi të politikanes boshnjake.

“Është shumë shqetësuese dhe përfshirja e një ish-diplomate të Kosovës në këtë storie meriton qartësim të mëtejmë”, ka shkruar Zulfaj në Twitter.

Leave a Reply