U përkujtua 24 vjetori i Betejës së Kabashit

0
204

Të premten është përkujtuar me një manifestim në Korishë 24 vjetori i betejës së Kabashit si dhe është shënuar dita e shkollës në këtë lokalitet.

Pjesë e shënimit të kësaj ngjarje të luftës së lavdishme të UÇK-së në sallën e edukatës fizike të shkollës “ Dëshmorët e Kabashit”, përveç veteranëve dhe invalidëve të luftës, familjarëve të dëshmorëve, banorëve të Korishës, ishin edhe drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal të Prizrenit.

Kryetari i komunës, Shaqir Totaj, tha se për lirinë e vendit tonë është derdhur shumë gjak dhe është bërë sakrificë e lartë, si dhe apeloi që gjithmonë duhet të kujtojmë ngjarjet e lavdishme të UÇK-së, duke i nderuar ata që u flijuan për lirinë e Kosovës si dhe respektuar të gjithë luftëtarët e lirisë.

Ish komandanti i batalionit të dytë të Kabashit që ishte pjesë e brigadës 125 të UÇK-së në ZOP, Lulzim Kabashi, rrëfeu për ditën e betejës së lavdishme në Kabash, ku luftëtarët e lirisë edhe pse në numër shumëfish më te vogël se forcat e okupatorit dhe makinerisë së shumtë, ia dolen të zbrapsin forcat armike.

Në emër të familjeve të dëshmorëve për këtë manifestim dhe nderim të të rënënve për liri, i falënderoi organizatorët, Hekuran Kabashi, ndërsa drejtori i shkollës, Ilir Xhaferi, tha se në këtë datë të rëndësishme ku shënojmë edhe ditën e institucionit tonë arsimor, asnjëherë nuk duhet harruar ngjarjet e lavdishme të historisë sonë kombëtare siç ishte sakrifica nga lufta heroike e UÇK-së që e përfshinë edhe komunitetin e arsimit.

Në betejën e lavdishme të Kabashit të 17 marsit të vitit 1999 ranë heroikisht në krye të dëtyrës tre dëshmorët nga Korisha, Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi.

Për të gjithë të pranishmit në këtë manifestim u shfaq edhe një program I pasur artisitk nga nxënësit e shkollës dhe këngëtarë nga Korisha./TvPz

Leave a Reply