Millan Radoiçiq pranon pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë

0
142

Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.

Radoiçiq e ka pranuar se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.

Kjo do të jetë hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur tre sulmues.

Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.

Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Leave a Reply