Kutitë e votimit, arkivole politike

0
671

Ndëshkimi për politikanët nuk vjen as nga Zoti e as ndonjë forcë tjetër mbinatyrore. Ndëshkimi për politikanët vjen nga populli në kutitë e votimit. Ato kuti të votimit shndërrohen në arkivolet e juaja politike. Ato ju dërgojnë në harresën shoqërore, që për pjesën më të madhe nga ju është më se e vonuar.

Pjesa më e vështirë gjatë shkrimit të ditarit tim është se si t’ia filloj atij në mënyrën që të mos përsëritem nga herët e kaluara. Për ta vështirësuar këtë gjë edhe më shumë është kjo kohë e karantinës, ku monotonia e secilës ditë përsëritet, e vetmja gjë e cila ndryshon është shtimi i pasigurisë në atë se çka do të sjellë e nesërmja.

Shtypin ditor e lexoj në mënyrë elektronike dhe nga dita në ditë Mbretëria e Bashkuar është duke hyrë në spiralen, të cilën COVID-19 do ta lërë pas vetes. Jemi dëshmitarë të tragjedisë, të cilën e ka shkaktuar në Itali, Spanjë, Francë, Amerikë dhe ku ende vazhdon.

Në Mbretërinë e Bashkuar vetëm dje kishim 673 të vdekur si pasojë e koronavirusit. Në Itali ishin 800+, ndërsa në Spanjë 900+. Këto janë shumë jetë brenda një dite, ku as nuk është gjendje lufte. Në fakt, shumëçka ngjason me një gjendje lufte, vetëm shkatërrime materiale nuk ka. Do të jenë pasojat ekonomike, të cilat shumë shtete do t’i bartin edhe për shumë vite pasi që e gjitha kjo të përfundojë.

Në titujt kryesorë të gazetave ditore britanike mbizotëron titulli se vetëm 2.000 nga 550.000 punonjësit shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar janë të testuar për COVID-19. Ky është një indikator i sigurt, i cili tregon se sa i papërgatitur dhe injorant ka qëndruar ky vend përballë pandemisë, e cila i kanosej botës. Tashmë përhapja e virusit dhe koha e inkubimit të tij do të arrijnë fazën kritike dhe do të shohim rritje eksponenciale me të infektuarit me virusin, si dhe numrin e atyre që do ta kenë humbur betejën me virusin. Javën e kaluar, pasi që dola për t’i blerë gjërat esenciale ushqimore, kalova nëpër Marylebone Station afër së cilës banoj. Në këtë stacion frekuentojnë me qindra e mijëra njerëz gjatë ditës së rëndomtë. Tani ishte tërësisht i zbrazur. Heshtja në këtë stacion të njohur qendror të Londrës ishte si ajo të cilën mund ta përjetojmë vetëm në filmat horror.

Aty-këtu ndonjë mirëmbajtës apo personel trenash që po rrinin statikë në hekurudha.

Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore është anuluar kampionati i tenisit në Wimbledon, gjithashtu është anuluar edhe festivali në Edinbourgh. Me qindra koncerte, shfaqje teatrosh dhe kinemash, gjithashtu, janë të anuluara. Unë vërej lëvizje njerëzish këtu në qendër, por ajo që të bie në sy është se njerëzit rrinë larg nga njëri-tjetri. Një pjesë e madhe e tyre bartin edhe maska mbrojtëse në fytyrë dhe turistët mungojnë. Këta janë vetëm banorët e Londrës. Autobusët publikë funksionojnë, por ti mund të shohësh vetëm 2-3 udhëtarë në autobusët e zbrazur.

Por çfarë do të mund të kemi mësuar ne si specie njerëzore, si shoqëri të organizuara në vendet në të cilat jetojmë. Nëse prapë qëndroj me shembujt e Britanisë së Madhe këtu e patëm Princin Charles, i cili u testua pozitiv dhe e përfundoi vetizolimin e vet njëjavor. Kryeministri Boris Johnson ende gjendet në karantinë pasi që edhe ai ishte testuar pozitiv me koronavirus.

D.m.th. dallimet në shtresat shoqërore si monarkë, politikanë, punëtorë, fshatarë… virusi nuk po i bën, gjë që ne njerëzit vazhdojmë që t’i bëjmë shekull pas shekulli, edhe pse edhe më parë njerëzimi u përballua me sëmundje edhe më të rrezikshme. Por ai asnjëherë nuk e mësoi mësimin e vet siç duket. Vazhdoi me avazin e vjetër, me eksploatimin e njeriut, natyrës, kafshëve. I kam trajtuar këto tema në ditarin tim edhe shumë kohë para se që COVID-19 të paraqitej në botë, mirëpo natyra e njeriut qenka e tillë që përderisa nuk mbështetet për muri të mos i kuptojë gjërat e vogla, por gjithashtu po aq të rëndësishme në jetë.

Tani heronjtë tanë janë mjekët, personeli përcjellës mjekësor, shitësit në dyqane, pastruesit e dyqaneve, pastruesit e rrugëve, punonjësit nëpër furra buke, policët në rrugë, si dhe shumë e shumë profesione të tjera të stigmatizuara dhe jo të vlerësuara dhe paguara siç duhet në shoqëritë tona. Mendoj se kur e gjitha kjo një ditë të përfundojë, shoqëritë tona kanë shumë punë për të debatuar dhe riorganizuar shoqëritë në mënyrë që diçka e tillë kurrë të mos na gjejë në këso gjendje dhe të papërgatitur.

U dëshmua se ti mund të investosh trilionë dollarë në armatimin më modern, mund ta kesh ekonominë më të avancuar në planet, por ja që ballafaqimi me një armik të vogël të padukshëm për syrin e njeriut mund të të gjunjëzojë dhe ta kolapsojë sistemin në të cilin aq shumë është investuar.

Në kohë pandemie pushojnë edhe armiqësitë më të mëdha të dëshmuara dhe zgjohet njerëzorja. Në mbrojtje të kësaj thënie e kemi edhe rastin e djeshëm, kur një aeroplan rus me përplot ndihma dhe pajisje mjekësore ulet në Aeroportin e Washington DC.

Mirëpo, t’u kthehemi ngjarjeve në vendin sui generis, të quajtur Kosovë. Aty armiqësitë partiake dhe politike në kohë pandemie ngrihen në nivel më të lartë. Aty bëhen mocione për rrëzim të Qeverisë, qeveri e cila ç’është e vërteta përgjigjen ndaj COVID-19 e pati më të shpejtë dhe më të përgjegjshme se edhe të vendeve shumë më të zhvilluara evropiane dhe botërore. Shtoja kësaj gjendjen, të cilën e kanë gjetur sistemin shëndetësor, si dhe rezervat buxhetore të shpenzuara, kjo nuk do koment. E komentin të cilin unë nuk do të resht që t përsëris do të jetë fakti se natën kur po votohej buxheti shtetëror e shteti po kanosej nga pandemia ashtu si edhe e mbarë bota, nënshkruesit e mocionit dolën nga salla e Kuvendit dhe nuk e votuan atë. Pra, popull dhe lexues të ditarit tim i mbani ndërmend këto fjalë, ATA DOLËN NGA SALLA E KUVENDIT DHE NUK E VOTUAN ATË. Sa për ndërgjegjen e tyre ndaj popullit, sot nuk do të kishte as paga për këta mjekë, për personelin mjekësor, për policët në rrugë, … Këta individë sot mëtojnë që me vota të kontrabanduara kundrejt vullnetit të sovranit vetëm për interesa të tyre partiake, klanore, biznesore, mafioze të ndërtojnë qeveri për ta “mbrojtur” popullin nga pandemia.

Profesor Isa, kryetari i LDK-së, kishte edhe pafytyrësinë të deklaronte dje që nuk përjashtohet shfrytëzimi i 82 votave në Kuvend, në mënyrë që të ndërrohet Kushtetuta që të mundësojë formimin e qeverisë!?!

A ka gjë më të mirë që njeriu të mos e humbë edhe arsyeshmërinë në këso kohëra të vështira, gjë që fatkeqësisht nuk mund ta them për profesor Isën.

Në kohëra katastrofash, janë pikërisht këta minjtë e gjerizit që dalin në sipërfaqe. Ata që merren me këshillat juridike për profesorin është dashur t’i tregojnë profës se edhe po qe se ndërrohet Kushtetuta, ajo nuk do të vlejë për këtë legjislacion. Por kjo vetëm po i shpërfaq tërbimin e tyre dhe humbjen e arsyeshmërisë, si dhe verbimin e tyre vetëm me marrjen e pushtetit me çdo çmim.

Irritimi i popullit me këta politikanë të papërgjegjshëm e ka arritur zenitin e tij. Tashmë nuk ka vota të shpërndara në disa parti. Tashmë ato do të jenë të ndara, njëra anë Vetëvendosje dhe në anën tjetër të gjitha të tjerat së bashku. LDK-ja e humbi rastin që ta amnistonte veten deri diku nga vendimet e kaluara dhe u pozicionua andej nga krimi 20-vjeçar, i cili e plangosi këtë vend. Edhe ata votues, të cilët as që kanë votuar ndonjëherë, ose ju kanë votuar juve si LDK-në e që në mënyrë kaq të shpifur ua kontrabandoni votat dhe i dërgoni ato në prehër të krimit. A me të vërtetë jemi popull me trurin e peshkut dhe nuk mbajmë ndërmend më shumë e më gjatë se dje apo çka është kjo puna jonë kështu?

Por edhe VV-ja u nda para dy vjetësh dhe ata të deflektuarit formuan partinë e tyre, PSD, duke mos u marrë me problematikat e shoqërisë, por si kukuvajkat duke u marrë me ish-partinë dhe partiakët ku u rritën dhe u formësuan. Në kërkimin e votës së sovranit ata as pragun zgjedhor nuk e kaluan. Përfaqësimin popullor në Kuvend e kanë ZERO. Votuesi ndëshkon profesor. Me sjelljet e juaja në ditët më të vështira për popullin ju vendosët që t’i thyenit premtimet e juaja elektorale, ju si i pavotuar bashkë me bashkëpartiakët e juaj të pavotuar. Ndëshkimi për politikanët nuk vjen as nga Zoti e as ndonjë forcë tjetër mbinatyrore. Ndëshkimi për politikanët vjen nga populli në kutitë e votimit. Ato kuti të votimit shndërrohen në arkivolet e juaja politike. Ato ju dërgojnë në harresën shoqërore, që për pjesën më të madhe nga ju është më se e vonuar.

Pengmbajtës të fatit të vendit, rinisë dhe shëndetit të popullit. Ju dhe sjelljet e juaja jeni ata të cilët e rritët Vetëvendosjen. Ju jeni ata të cilët e faktorizuat edhe rritët edhe më shumë figurën e Albin Kurtit. Ai mund të ketë shumë të meta dhe mund të kemi vërejtje të shumta për të, mirëpo në dilemën midis jush në njërën anë dhe atij dhe partisë së tij në anën tjetër, kutitë e votimeve do t’ju tregojnë se çfarë mendon dhe si ndëshkon populli.

P.S. Albin unë nuk do të hezitoja aspak që të merresha me kritika ndaj teje dhe Qeverisë, mirëpo njerëzorja nuk ma lejon atë në këtë kohë. Ke mjaft hiena që të janë hedhur mbi qafë, unë nuk u përkas atyre specieve …

Shkruan: Asdren RRAHMANI

Leave a Reply