Ka rreth një muaj e gjysmë që Suhareka nuk e kanë asnjë noter

0
237

Në 18 komuna të Kosovës aktualisht nuk ka asnjë juristë profesionalë për të ofruar shërbime noterie. Ministria e Drejtësisë qysh në fillim të vitit pati bërë zotimin që këtij problemi do t’i jepej një zgjidhje me përfundimin e procesit gjyqësor për noterët. Por as pas shtatë muajsh që nga përmbyllja e këtij procesi, Ministria nuk ka hapur konkurs për emërimin e tyre. E në këtë dikaster qeveritar thanë se po bëhen përgatitje për një provim tjetër të noterisë, por jo konkurs

Ka rreth një muaj e gjysmë që Suhareka u është bashkuar 17 komunave të tjera të Kosovës që nuk e kanë asnjë noter.

Në këtë qytet, me gati 60 mijë banorë, qytetarët kanë shprehur vërejtjen se për këtë shkak janë grumbulluar kërkesat për shërbimin që e vërteton origjinalitetin e dokumenteve.

“Këtu te ne kanë punuar dy noterë. Të dytë janë pensionuar, kështu që për momentin në Suharekë s’ka noter”, tha qytetari Gani Sallauka.

Për t’i marrë shërbimet e noterisë, atyre u duhet që të udhëtojnë për në Prizren. Por udhëtimin rreth 20-kilometërsh deri në Prizren, ata e vlerësuan si të mundimshëm dhe të kushtueshëm.

“Më e keqja është që në regjion tonin nuk ka përveç në Prizren. Tash po duhet me shku për çdo send, për një autorizim më të thjeshtë po duhet me shku në Prizren.. Maltretim, maltretim, maltretim është”, tha qytetari Bedri Selimaj.

“Është ngarkesë, shpenzime, humbje kohe, mundim”, tha Gani Sallauka.

Krahas Suharekës, pa noterë janë edhe Skenderaj, Han i Elezit, Kaçaniku, Kamenica, Obiliqi, Malisheva, Istogu, Rahoveci, Juniku, Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Mamusha, Ranilluku, Parteshi, Leposaviçi, Zveçani e Zubin-Potoku.

Problemet janë shfaqur në mungesë të hapjes së konkurseve për noterë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati deklaruar se nuk do të ketë konkurs të ri pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e provimit të fundit të noterisë, që ishte kryer në kohën kur në krye të kësaj ministrie ishte Abelard Tahiri.

Ndonëse procesi gjyqësor është përmbyllur prej shtatë muajsh dhe kandidatëve të atëhershëm gjykata ua ka njohur kalimi i provimit të noterisë, konkursi ende nuk është hapur.

Në Ministrinë e Drejtësisë, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, bënë të ditur se po bëhen përgatitje për mbajtjen e një provimi tjetër të noterisë, por jo edhe për konkurs.

“Ministrja e Drejtësisë në bazë të autorizimeve ligjore ka emëruar komisionin për dhënien e provimit për noterinë, andaj komisioni është në fazën finale të përgatitjes për ta shpallur afatin për aplikim. Po ashtu ju informoj se deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, Ministria e Drejtësisë në koordinim me Odën e Noterisë do të autorizojë noterë të caktuar për ofrimin e shërbimeve në komunat ku mund të mbesin pa noter”, thuhet nga Ministria e Drejtësisë.

E në Odën e Noterëve theksuan se janë në pritje që konkursi të hapet së shpejti.

“Ne si Odë nuk kemi ndonjë informacion zyrtar se kur do të ketë hapje të konkursit. Por meqenëse është formuar Komisioni, atëherë logjikisht rezulton se do të ketë edhe konkurs të ri”, thuhet nga Oda e Noterëve.

Këta juristë profesionalë janë përgjegjës për të kryer shërbime noteriale për çështje familjare, pronësore, ekonomike dhe të punës, për nxjerrjen e vërtetimeve, legalizimeve dhe certifikatave të tjera, si dhe për ruajtjen dhe depozitimin e gjërave dhe dokumenteve.

Bazuar në Ligjin për Noterinë, për çdo 10 mijë banorë duhet të përcaktohet nga një noter.

Sipas kësaj, për rreth 1.8 milionë banorët sa i ka Kosova, do të duhej të ishin 180 noterë, porse sipas Ministrisë aktualisht janë vetëm 50.

Leave a Reply