“Jemi në të drejtën tonë”, Kurti nuk tërhiqet as pas qortimeve të ashpra nga amerikanët

0
138

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,  gjatë ditës së djeshme ka konsideruar se Qeveria e Kosovës “është në të drejtën e saj” në dialog me Serbinë. Kjo është ndër deklaratat e pakta që Kurti ka bërë disa ditë pasi fajësoi të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve  të 14 shtatorit në Bruksel duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.

Deklarata e Kurtit nxiti reagime të shumta tek faktori ndërkombëtar. Më të ashpër ishin amerikanët, të cilët disa herë potencuan gjatë kësaj jave se mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Fillimisht reagoi Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier  i cili tha se  SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si “zbatues objektivë të kësaj politike”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“SHBA dhe partnerët tanë e shohin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si mënyrën e vetme për të avancuar dhe arritur integrimin evropian dhe për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së më 19 nëntor rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve të tyre. SHBA-ja pajtohet plotësisht me atë deklaratë. Dështimi për të normalizuar marrëdhëniet është dhe mbetet pengesë për avancimin e këtij rajoni drejt institucioneve euroatlantike”, u shpreh Hovenier gjatë kësaj jave.

Faktin që kryeministri Kurti nuk e ka pranuar propozimin e BE-së për zbatim me sekuencim të Marrëveshjes Bazë, ambasadori amerikan e ka konsideruar për të të ardhur keq.

“E di që kryeministri Kurti, natyrisht, nuk e ka pranuar propozimin që ka nxjerrë në tryezë përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell]. Nga këndvështrimi ynë, kjo është për të ardhur keq”, u shpreh Hovenier.

I njëjti ka theksuar edhe se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është njëri ndër hapat e parë që duhet të ndërmarrë Kosova në dialog. Madje, tha se ka një urgjencë për themelimin e tij.

I alarmuar me sulmet ndaj Lajçakut, një ditë më pas u shpreh edhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar ka thënë se Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara dhe se i njëjti nuk do të largohet nga pozita që e ka në dialog.

Ai shtoi se ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani që ti dënojnë këto sulme. I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kërkoi përqasje të re në dialogun Kosovë-Serbi, duke e kritikuar kryeministrin Albin Kurti që, siç thotë ai, e ka marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, është shprehur Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Të pabaza akuzat e Kurtit  i cilësoi edhe BE-ja.

“Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë Josep Borrell. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano gjatë kësaj jave.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. /Reporteri.net/

Leave a Reply