Manchester Unitedi është eliminuar nga Carabao Cup, pasi u mposht 3-2 nga Brightoni në “Old Trafford”, duke i dhënë fund një serie historike që zgjaste prej vitit 1976.
Humbja ndaj Brightonit i kushtoi “Djajve të Kuq” jo vetëm eliminimin nga gara, por edhe rekordin e tyre për të mos pësuar kurrë humbje në shtëpi pasi kishin krijuar epërsi prej dy golash.
Herën e fundit që Unitedi kishte humbur një ndeshje të tillë në “Old Trafford” ishte në shtator të vitit 1976, kur Tottenhami kishte triumfuar me rezultat 3-2.
Që nga largimi i Sir Alex Fergusonit në vitin 2013, Manchester Unitedi kishte zhvilluar 145 ndeshje në të cilat kishte kaluar në epërsi prej dy golash.
Në 143 prej këtyre përballjeve, skuadra kishte arritur të fitonte, ndërsa dy të tjera kishin përfunduar në barazim.
Seria historike mori fund ndaj Brightonit, i cili përmbysi rezultatin dhe e eliminoi Unitedin nga Carabao Cup për të dytin vit radhazi, që në ndeshjen e parë të skuadrës në këtë garë.
Kjo disfatë vjen pas humbjes ndaj rivalit të përbetuar, Manchester Cityt, në një përballje të zhvilluar në shtëpi fundjavën e kaluar, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi klubin anglez.















































