Edi Rama nuk pajtohet me reagimin e BE-së pas sulmit terrorist në veri: Është momenti për ta dënuar terrorin që ndodhi në Kosovë

0
133

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria për herë të parë nuk linjëzohet me deklaratën e Bashkimit Evropian të 18 shtatorit mbi dialogun Kosovë -Serbi. Rama tha se ajo deklaratë nuk përmban një reagim mbi sulmin në Veri të Kosovës ku u vra një polic.

“Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE është një deklaratë që përfaqëson se çfarë detyrimesh ka Kosova ne raport me dialogun por ka një problem qe si përgjigjët realitetit te ditëve te fundit. E kemi te pamundur ti bashkohemi pa pare një reagim për ngjarjen e ditëve te fundit ku është vrare një efektiv i Kosovës nga një grup kriminal qe donte te ushtronte terror ne veri e pasuar me shpalljen e një dite zie ne Beograd”.

“Kjo është e papranueshme, madje e dënueshme. Është jo Evropiane dhe sinjali me i keq qe Serbia mund te jepte ne këtë moment për të gjithë rajonin dhe Evropën. Alarmi ne nivele te larta. Duhen përdorur te gjithë instrumentet për ti kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi te papranueshem qe vjen nga shpallja e ditës se zisë në Beograd. Deri ne momentin qe s’do kete nje deklarate te dyte te BE mbi situaten e fundit, ne nuk do linjezohemi me deklaratën. Ky është momenti për të dënuar atë qe ka ndodhur ne veri te Kosovës” tha Edi Rama.

Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Edhe para sulmeve të 24 shtatorit, disa vende i kanë kërkuar kryediplomatit evropian, Josep Borell, të mos e mbajë vetëm Kosovën përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në veri, në maj të këtij viti.

Edi Rama në një konferencë për media nga Italia ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të lëshojë edhe një komunikatë të dytë pas gjithë ngjarjeve të ndodhura në veri.

Ai ka thënë se në momentin që del deklarata dhe nëse ajo përmban atë që Shqipëria kërkon, Tirana zyrtare nuk e ka asnjë problem që të jetë në linjë me BE-në.

“Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, ka shtuar tutje kreu i Qeverisë shqiptare.

Leave a Reply