Stoltenberg nuk dha shpresë për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe – çka është kjo strukturë e NATO-s?

0
176

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk ka dhënë shumë shpresa për anëtarësim të Kosovës në strukturat e aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, NATO, duke nisur nga Partneriteti për Paqe

Për këtë, sekretari i NATO-s tha se nevojiten votat e të gjithë anëtarëve.

“Anëtarësimi në programimin për Partneritet për Paqe kërkon vota unanime nga të gjitha shtete anëtare. Nevojitet vendimi i të gjitha aleatëve nuk e di kur mund të merret një vendim i tillë”, tha Stoltenberg dje në Prishtinë.

Por, çfarë parasheh ky partneritet?

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.

Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1,600 aktivitete.

Në kuadër të këtij programi, më 1999 disa shtete dërguan forca paqeruajtëse në Kosovë në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Atëbotë ishin vendosur në Kosovë afër 50,000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin të shteteve të NATO-s. Sot në Kosovë janë mbi 3,700 trupa nga 28 shtete të botës.

Para Kosovës, Stoltenberg qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.

Sot, ai do të jetë në Beograd.

Vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Më 22 nëntor ai do të përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.

Leave a Reply