Sot do t’i jepet lamtumira e fundit 26-vjeçarit, Auron Thaqi, i cili u ther për vdekje me thikë mbrëmjen e 6 korrikut, ndërsa vdiq në QKUK të nesërmen, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e familjes thuhet se ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Prizren.
“Ndërroi jetë më 07.07.2024, në moshën 26-vjeçar. Varrimi do të bëhet ditën e enjte me namaz të drekës me 11.07.2024, në orën 14:00 në varrezat e qytetit në Prizren”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve, Enes Ay dhe Hajrullah Brcanin, të ndaluar për rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit.
Enes Ay është dërguar në paraburgim për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi), ndërsa i dyshuari tjetër për veprat penale “Mosdhënia e ndihmës” (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi të rrezikuar) dhe veprën “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.