Shumë vende të BE-së duan liberalizimin e vizave për Kosovën

0
290

Më shumë se kurdoherë më parë të hënën është dëgjuar nga ministrat e BE-së nevoja urgjente që të liberalizohen vizat për Kosovën. Është thënë kjo në një debat për Ballkanin Perëndimor dhe për përballjen e përbashkët me pasojat e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Por këto ishin vetëm diskutime joformale. Nga Serbia më qartë se kurdoherë më parë u kërkua që të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë, pasi është konsideruar se “nuk është më e mundur të jesh edhe me regjimin e Putinit, edhe të ndërtosh të ardhme evropiane”

Ministrat e Bashkimit Evropian (BE), në takimin e tyre në Bruksel, të hënën kanë diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor, së pari në një takim të 27 ministrave të BE-së e më pas edhe në takimin e përbashkët me kolegët nga gjashtë vendet e rajonit, në mesin e të cilëve ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërrvalla.

Tema kryesore e këtyre diskutimeve ishte përballja e përbashkët me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe përshtatja e qëndrimeve të vendeve të Ballkanit me ato të BE-së.

Në BE thonë se mirëpresin faktin që Kosova në tërësi ka mbështetur qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe sanksionet ndaj Rusisë, edhe pse formalisht nga ajo nuk kërkohet një gjë e tillë. Serbia është i vetmi vend i rajonit i cili nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Sipas shumë burimeve, në takim ka pasur shumë kritika ndaj Serbisë, nga e cila është kërkuar që të dëshmojë se është e orientuar nga BE-ja. Asaj i është kërkuar që t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, por edhe të angazhohet në luftimin e propagandës dhe fushatës së dezinformimit prorus në mediat në Serbi.

Se nga Serbia kërkohet të mbështetë sanksionet ndaj Rusisë e ka thënë pas takimit edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ai ka thënë se “ata që nuk e kanë bërë këtë, Serbia ndër to, duhet sa më parë që të jetë e mundur të përshtaten dhe të implementojnë sanksionet”.

“Për mua është e qartë, si përfaqësues i lartë dhe për kolegët e mi, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE. Të dyja këto gjëra në të njëjtën kohë nuk janë më kompatibile”, ka thënë Borrell.

Deri më tash kjo është deklarata më e qartë e bërë publike, përmes së cilës kërkohet nga Serbia të përshtatet me politikën e BE-së.

Borrell, po ashtu, ka thënë se tani nuk ka hapësirë që dikush të jetë neutral sa i përket luftës në Ukrainë, pasi këtë e ka quajtur si një koncept të rrejshëm.

“Një shtet ka bënë invazion në tjetrin dhe t’i vësh ato në të njëjtin nivel do të thotë të dështosh të bësh dallim mes agresorit dhe personit të sulmuar”, ka thënë ai.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, ka pranuar se shumë shtete, sidomos Polonia dhe vendet baltike, kanë kërkuar që Serbia të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa, sipas fjalëve të tij, Hungaria i ka dalë në mbrojtje Serbisë.

Borrell ka thënë se shumë ministra kanë kërkuar që sa më parë, para fundit të presidencës franceze të BE-së, të hapet rruga për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të hiqen pengesat në procesin e zgjerimit.

Pengesat në procesin e zgjerimit Borrell i ka quajtur si “dhuratë për Rusinë”.

Në takim është përmendur edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Këtë e ka thënë edhe vetë shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell.

“Shumë ministra kanë përmendur liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni Evropian, e unë jam nënkryetar i Komisionit, ka disa herë që i ka propozuar Këshillit rekomandimin dhe vlerësimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave. Kemi tashmë për një kohë të gjatë liberalizim vizash me Ukrainën dhe mbështesim liberalizimin edhe për Kosovën”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq-Radman, ka qenë një prej atyre që ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket Kosovës unë kam potencuar rëndësinë për liberalizimin e vizave. Në këtë drejtim më kanë mbështetur edhe disa ministra të tjerë”, ka thënë kryediplomati kroat.

Ndërsa sa i përket Serbisë, ai ka thënë se pos reformave në drejtësi dhe përshtatjes me politikën e jashtme të BE-së, ka kërkuar që ajo të përballet me të kaluarën dhe që ta ndërpresë glorifikimin e kriminelëve të luftës. Sipas ministrit të Jashtëm të Kroacisë, në këtë takim të ministrave është kërkuar që sa më parë të nisin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mundësisht para përfundimit të presidencës franceze të BE-së.

Edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk po jep rezultate të duhura, ishte një prej çështjeve që janë përmendur në këto takime.

“Na duhet angazhim konstruktiv dhe progres i shpejtë në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët pajtohen me këtë. Por kur ulen së bashku është vështirë të përshtaten. Duhet të ndërtojmë besim. Është e domosdoshme të ndërtohet atmosferë pozitive në dialog dhe të evitohen aktet e njëanshme”, ka thënë Borrell, i cili ka shprehur pritjen që deri në verë të ketë një takim në nivel të lartë në kuadër të dialogut.

Të premten e javës së shkuar, në Bruksel pati përpjekje për të organizuar një takim mes kryenegociatorësh, me qëllim për të arritur marrëveshjen për targat dhe për të përafruar qëndrimet në lidhje me disa prej çështjeve të tjera që janë duke u negociuar, veçmas për energjinë. Ndonëse delegacionet ishin në Bruksel dhe u takuan veç e veç me ndërmjetësin Miroslav Lajçak, takim mes tyre nuk ka pasur e as marrëveshje.

Në paralajmërimin mbi takimin ishte thënë se një nga synimet ishte të bëheshin përgatitjet edhe për një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Koha

Leave a Reply