Rodri ka zbuluar arsyet që e bindën të refuzonte interesimin e Real Madridit dhe të zgjidhte Barcelonën si destinacionin e tij të ri pas largimit nga Manchester City.
Mesfushori spanjoll pranoi se vendimi nuk ishte i lehtë, veçanërisht përballë interesimit të Real Madridit, por projekti sportiv i Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick dhe roli i drejtorit sportiv Deco ishin vendimtarë.
“Ishte më shumë një proces sesa një vendim. Fillimisht duhet ta kuptosh se koha jote në një klub ka ardhur drejt fundit dhe se ndoshta dëshiron një sfidë të re”, tha Rodri për “Mundo Deportivo”.
Ai theksoi se vendimin e mori duke u bazuar kryesisht në aspektin sportiv.
“Gjithmonë i kam marrë vendimet e mia mbi bazën e futbollit: ku besoj se mund të fitoj, të jem i lumtur dhe, mbi të gjitha, të zhvillohem si lojtar”, u shpreh spanjolli.
Rodri pranoi gjithashtu se t’i thoshte “jo” Real Madridit nuk ishte aspak e lehtë, por projekti i Barcelonës e bindi se aty kishte mundësi të zhvillohej më shumë.
“Për këtë arsye zgjodha Barçën, edhe për shkak të brezit të lojtarëve që kanë dhe asaj që Hansi po ndërton. Në fund, Deco dhe Hansi më bindën”, deklaroi ai.
Tashmë, Rodri pritet të ketë një rol të rëndësishëm në mesfushën e Barcelonës, duke sjellë eksperiencën dhe cilësinë e tij në projektin e Hansi Flick./04 Online/















































