Të kalosh më shumë kohë me njerëzit që do, të kujdesesh për marrëdhëniet shoqërore dhe të bësh një punë që të jep kuptim. Këto janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në lumturinë dhe mirëqenien e njeriut, sipas studiuesve që merren me shkencën e lumturisë.
Një studim i publikuar së fundmi në revistën shkencore “Journal of Happiness Studies” sjell në vëmendje përfundimet dhe përvojat personale të 13 studiuesve të njohur në këtë fushë, mes tyre edhe profesoreshës së Psikologjisë Sociale, Dr. Lara Aknin. Sipas Universitetit Simon Fraser, përvoja e tyre e përbashkët kërkimore arrin në afro 600 vite.
Marrëdhëniet njerëzore, çelësi i lumturisë
Sipas Dr. Lara Aknin, lumturia ndikohet nga shumë faktorë, por nëse do të duhej të veçohej njëri prej tyre, ai do të ishte marrëdhënia me njerëzit e tjerë.
Edhe prania e një personi të besuar, tek i cili mund të mbështetemi në momentet e vështira, ka një ndikim të rëndësishëm në mirëqenien tonë. Po ashtu, lidhjet shoqërore dhe ndjenja e përkatësisë në një komunitet ndihmojnë në krijimin e një jete më të lumtur.
Disa prej studiuesve tregojnë se kërkimet shkencore i kanë bërë të ndryshojnë edhe zakonet e tyre personale. Ata i kushtojnë më shumë kohë familjes dhe miqve, dëgjojnë më me vëmendje të tjerët, shprehin mirënjohje, angazhohen në aktivitete vullnetare dhe marrin pjesë më aktivisht në jetën shoqërore.
A na bëjnë paratë më të lumtur?
Siguria financiare dhe plotësimi i nevojave bazë janë gjithashtu elementë të rëndësishëm për mirëqenien.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se pasi njeriu arrin të sigurojë kushtet themelore të jetesës, të ardhurat shtesë mund të kenë një ndikim më të vogël në nivelin e lumturisë. Kjo nuk do të thotë se paratë nuk kanë rëndësi, por se ato nuk janë faktori i vetëm që përcakton cilësinë e jetës.
Një rol të veçantë luan edhe puna. Njerëzit ndihen më të përmbushur kur merren me aktivitete që kanë kuptim për ta dhe përputhen me vlerat e tyre personale. Ndjenja se puna dhe koha e investuar kanë një qëllim të vlefshëm ndikon pozitivisht në mirëqenien e përgjithshme.
Të jesh i lumtur nuk do të thotë të jesh gjithmonë i buzëqeshur
Një tjetër përfundim i rëndësishëm i studiuesve është se njerëzit përgjithësisht të lumtur nuk janë domosdoshmërisht të lumtur në çdo moment të ditës.
Lumturia nuk kërkon kushte perfekte jetese dhe as një karakter gjithmonë optimist. Sipas Dr. Aknin, njohja e vetvetes, zgjedhjet e ndërgjegjshme dhe aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet mund të ndihmojnë edhe gjatë periudhave të vështira.
Vlerësimi i momenteve pozitive dhe kujdesi për marrëdhëniet me të tjerët janë disa nga praktikat që vetë studiuesit thonë se përpiqen t’i zbatojnë në jetën e tyre të përditshme.
Të ndihmosh të tjerët, një mënyrë për të qenë më i lumtur
Në përfundim, profesoresha Aknin e lidh mirëqenien personale edhe me bujarinë dhe kontributin ndaj të tjerëve.
Kur njerëzit ndihen mirë me jetën e tyre, kanë më shumë energji dhe motivim për t’u kujdesur për familjarët, miqtë dhe komunitetin ku jetojnë.
Siç shprehet ajo, “bujaria nuk është një lojë me shumën zero”. Kujdesi dhe ndihma që u japim të tjerëve mund t’i frymëzojnë edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë, duke krijuar një rreth pozitiv që në fund na sjell dobi të gjithëve.















































