Parakalim madhështor i Ushtrisë dhe Policisë, mijëra qytetarë i përcjellin nga afër

0
119

Ushtria dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Mijëra qytetarë janë mbledhur për ta shikuar maratonën ushtarake dhe policore, e cila ka filluar me më shumë se një orë vonesë, nga koha kur ishte paraparë të mbahej.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e parakalimit të Farsës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ka thënë se periudha nëpër të cilën po kalon shteti në këtë kohë të sfidave e kërcënimeve globale, shton nevojën e bashkimit në një front në të mirë të Republikës.

“Vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë ë e trajtojmë si të tillë”, ka theksuar Osmani. Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës mban vulën e sakrificës së 3 mijë dëshmoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u udhëhoqën nga komandanti Adem Jashari. “Liria, Pavarësia dhe shteti ynë, janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre”, ka thënë Osmani.

Sipas saj kuadratet e ushtrisë dhe të Policisë, janë pjesa më e ndritshme e historisë së re Kosovës.

“Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenar çdo herë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballa me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit, ka treguar përkushtim dhe vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin ne çdo cep të Republikës së Kosovës”, është shprehur Osmani, duke thënë se ata janë pasardhës të UÇK-së.

Ajo ka folur edhe për rëndësinë e emrave të personave që mbajnë sheshet nëpër të cilat ka parakaluar ushtria e Policia.

“Jo rastësisht trupat e ushtrisë sonë do të parakalojnë në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë, një pjesë të madhe të historisë tonë. Do të fillojnë nga sheshi ‘Ibrahim Rugova’, do të vazhdojnë nëpër sheshin ‘Nëna Terezë’ e do të kthehen këtu, tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’, e pas nderimit ndaj 15-vjetorit të Pavarësisë së shtetit kuadratet e tyre do të kthehen në kazermën e cila man emrin e ikonës së luftës sonë çlirimtare, komandantit tonë legjendar “Adem Jashari”, ka theksuar Osmani.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti ka thënë se barazia dhe drejtësia janë ndër elementet që e karakterizojnë shtetin e Kosovës.

Në sheshin e Prishtinës ai ka thënë se ritmi i ecjes së Kosovës është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve.

“Në këtë 15 vjetor ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza që do parakalojnë janë bijtë e bijat e këtij vendi të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre sovranitetin, rendin dhe ligjin e Kosovës. Bekimi i ushtarakëve tanë, policëve i manifestuar me gatishmëri dhe i përkthyer në funksion u dëshmua disa herë me sfidat e sigurisë që vendi ynë u përball muajve të fundit. Policët e Kosovës treguan profesionalizëm të lartë dhe nivelin e aftësive të shtetit për t’iu përgjigjur sfidave”.

Kurti ka theksuar se festimet gjithmonë përcillen me kujtimet për të rënët për liri.

“Sa herë festojmë ditëlindjen e vendit tonë gjithmonë nisemi nga kujtimet e përbashkëta për dëshmorët dhe martirët, paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe secilën jetë njerëzore që ka derdhur gjak, që ka shkrirë mendje dhe trup për të mirën e këtij vendi”.

Leave a Reply