Disa veçori psiko-fiziologjike dhe veçori në sjelljen e adoleshentëve

0
759

Njera prej karakteristikave të moshës adoleshente natyrisht është statusi kalimtar i saj, ku kjo moshë nënkupton periudhën e kalimit prej një faze jetësore në një fazë tjetër, ku për fëmijën e moshës 10-11 vjeç i cili po përgatitet të hyjë në botën e të rriturit dhe tek i cili nuk është krijuar ende identiteti i tij deri në fund kjo fazë paraqet një sfidë të vërtet të zhvillimit personal. Që nga fillimi i moshës adoleshente tek adoleshenti fillon kërkimi i gjatë i Unit personal si dhe i identitetit të tij, si diqka unikale dhe e papërsëritshme. Kjo fazë e kërkimit të unit shpesh herë karakterizohet me një varg krizash sepse individi mund të përjetojë momente të cilat mund të mos i pëlqejnë për veten ose mund të jenë negative dhe mund të shkaktojnë kriza tek ai.

Fillimi i adoleshencës dhe fillimi i pubertetit janë gati në të njejtën moshë, kështu në moshën midis 11 dhe 14 vjeç gati 95% e adoleshentëve të të dyja gjinive gjenden në fazën më aktive të pubertetit ku ndryshimet fizike dhe ato kognitive realizohen me shpejtësi e sidomos në adoleshencën e hershme.

Vëmendja e adoleshentëve është e orientuar më shumë kah veçoritë e tij fizike ( pamja e jashtme), të cilës ata i kushtojnë rëndësi të veçantë. Kështu, vlerësimet negative të pamjes së jashtme adoleshentët i përjetojnë me shumë dhembje dhe ky vlerësim mund të ketë pasoja edhe në raportet me njerëzit e tjerë.

Adoleshentët zakonisht karakterizohen me nivel të ulët të vetëbesimit, dhe shpeshherë kur kemi mospërputhje në mes të karakteristikave individuale trupore të adoleshentit me idetë dhe dëshirat e tij për bukuri me standardet e mbi normales atëher kjo ndikon edhe më shumë në uljen e nivelit të vetëbesimit tek ata.

Bashkë me zhvillimin e shumë proceseve të jashtme te adoleshentët fillon edhe zhvillimi fiziologjik seksual. Ky zhvillim mund të jetë poashtu shqetësues për adoleshentët si dhe adaptimi me këto ndryshime natyrisht që kërkon kohë. Me rritjen e ndryshimeve hormonale tek adoleshentët rritet vëmendja ndërgjinore si sjellje e imituar prej të rriturve.
Adoleshenti e zbulon identitetin e tij përmes sjelljes imituese nga të rriturit duke e kërkuar rolin i cili më mirë i përshtatet. Por, gjatë kesaj rruge te adoleshentët parqiten ndjenja e frikës, e vetmisë, e izolimit, e pasigurisë si dhe ndjenja e vetëbesimit të ulët ngase adoleshenti e ka të vështirë zgjedhjen e modelit të përsosur me të cilin dëshiron të identifikohet. Mirëpo për të zgjedhur modelin e përsosur dhe të duhur, adoleshentëve ju duhet ndihma e të rriturve, e kryesisht e prindërve të tyre. Por, ata shpesh e refuzojnë këtë ndihmë ngase nuk dëshirojnë që dikush t’i këshillojë e aq më pak kur atë e bëjnë prindërit e tyre.

Një prej konflikteve të shumta personale që lindin tek adoleshentët janë edhe format e ndryshme të mospërputhjes midis unit real dhe atij ideal, fenomen ky i cili në psikologji njihet si ‘afekt i papërshtatshmërisë’ dhe për arsye të këtij fenomeni shpesh sjelljet e adoleshentëve nuk i pëlqejnë të rriturve dhe për ta këto sjellje në të shumtën e rasteve janë dhe irrituese. Por, të rriturit nuk duhet të harrojnë se ata gjenden në një fazë shumë specifike dhe madje kritike të zhvillimit individual prandaj u nevojitet më shumë kujdes, ngorhtësi, besim, mirëkuptim, kontakt dhe lidhshmëri me prindërit e tyre.

Një prej ëndrrave të të gjithë adoleshentëve është pavarësia prej të rriturve. Mirëpo për shkak të kushteve jo të mira sociale dhe ekonomike në shumicën e vendeve kjo dëshirë e tyre sa vjen e kufizohet. E shohim se edhe këtu kemi të bëjmë me afektin e papërshtatshmërisë së adoleshentit, i cili fenomen i shkakton shqetësim adoleshentit duke ja rritur nivelin e ankthit dhe duke i shkaktuar labilitet në sjelljen e tij.

Për ta kuptuar më mirë karakterin e adoleshencës, duhet të njohim mirë fazën e fëmijrisë dhe adoleshencës. Logjikë kjo e cila ka të bëjë me atë se gjatë fazës së fëmijrisë fëmija gjithmonë tenton të adaptohet në ambientin të cilin për të e krijojnë njerëzit e rritur, kurse në fazën e adoleshencës kjo praktikë nderpitet dhe fëmija mbetet vetëm para nevojës të mësohet të jetojë në rrethin e të rriturve i cili rreth nuk është strukturuar për t‘i plotësuar gjitha nevojat e adoleshentit.

Në moshën adoleshente realizohet ndryshimi përfundimtar i psikikës i cili e shënon fundin e fazës së fëmijrisë dhe fillimin e jetës së personit në botën e të rriturve. Realizimi i suksesshëm i këtyre ndryshimeve psikike varet nga realizmimi i suksesshëm i të gjitha ndryshimeve tjera që paraqiten te adoleshentët.
Nga përvojat paraprake e dimë që rebelimi më i madhë i adoleshentëve paraqitet në raport me prindërit e tyre, ku pamundësia të arrihet tejkalimi i disa dallimeve mes prindërve dhe fëmijëve ndikon në largimin e fëmijëve nga prindërit e tyre si dhe në ftohjen e raporteve të tyre mes veti. Dhe në rrethana të tilla komponentin kompenzues adoleshentët e gjejnë te moshatarët e tyre në të cilët ata gjejnë miqësi, siguri, përkrahje, besim dhe kuptim, e që kjo nënkupton ndarjen e vlerave të njejta me anëtarët e grupit duke u identifikuar me ta si një bashkësi unike.

Duke marrë parasysh të gjitha këto veçori psiko – fiziologjike dhe veçori të sjelljes tek mosha adoleshente, prindërit e fëmijëve adoleshentë duhet të kenë një qasje më të kuptueshme me fëmijët e tyre gjatë kësaj faze delikate dhe të ndjeshme, sepse pengesat e patejkaluara në këtë fazë mund të ndikojnë më vonë në të ardhmen e adoleshentëve, me një fjalë nëse këto pengesa nuk tejkalohen me bashkëpunim atëher ato do t’i shpiejnë adoleshentët në sjellje dhe veprime të ndryshme devijuese e të cilat mund të jenë shoqërues të pandashëm të jetës së tyre në të ardhmen!

Shkruan: Kaltrina SKORO – MURTEZAJ
Psikologe

Leave a Reply