NATO-ja pret që Turqia të mos pengojë anëtarësimet e Finlandës dhe Suedisë

0
196

SHBA-ja dhe shtetet tjera të NATO-s presin që Turqia të mos pengojë anëtarësimet e Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake.

Që të dyja janë shprehur të bindura se Turqia nuk do të ndalojë anëtarësimin e këtyre dy vendeve skandinave që morën hapa të vendosur për t’u bashkuar në përgjigje të pushtimit të Rusisë në Ukrainë, raportoi të hënën Reuters.

Turqia, e cila ditëve të fundit ka shprehur rezerva për anëtarësimet e reja, paraqiti kërkesat e saj të dielën në margjinat e një takimi të ministrave të Jashtëm në Berlin. Ankaraja zyrtare tha se kërkon që vendet nordike të ndalojnë mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territoret e tyre dhe të heqin ndalimet për disa shitje armësh në Turqi.

“Kam besim se do të jemi në gjendje të trajtojmë shqetësimet që Turqia ka shprehur, në mënyrë që të mos vonojmë anëtarësimet”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk pranoi të hynte në detaje të bisedave me dyer të mbyllura në Berlin, por i bëri jehonë qëndrimit të Stoltenbergut.

“Kam shumë besim se do të arrijmë konsensus për këtë”, u tha Blinken gazetarëve.

Presidenti finlandez, Sauli Niinisto, ka konfirmuar të dielën se vendi i tij do të aplikojë për t’iu bashkuar NATO-s, derisa pritet që ky aplikim të bëhet brenda disa ditësh.

Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, ka thënë se do të shkojë në parlament të hënën për të siguruar mbështetjen për aplikim.

“Sot Partia Socialdemokrate Suedeze mori një vendim historik për t’i thënë po aplikimit për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes së NATO-s”, shkroi të dielën në Twitter ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde.

Leave a Reply