Mytaher Haskuka i dërgon telegram ngushëllimi familjes së Ridvan Hoxhës

0
346

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka ngushëlluar familjen Hoxha për vdekjen e anëtarit të tyre, Ridvan Hoxha.

Haskuka ka thënë se Ridvan Hoxha do të na mungojë të gjithëve si një qytetar aktiv, gjithmonë pozitiv dhe i buzëqeshur.

Telegram ngushëllimi
Sot të gjithë u tronditëm me lajmin për ndarjen nga jeta të Ridvan Hoxhës (1954-2021), mësimdhënës, aktivist politik e shoqëror, sportist dhe një qytetar shembullor.
Kontributi i tij si qytetar filloi me punën si mësimdhënës në shkollën fillore “Dëshmorët e Zhurit”, pastaj si mësimdhënës dhe drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, e që u pasua me aktivitetin politik dhe sportiv.
Ridvan Hoxha në vitet e nëntëdhjeta (1990-1999), në kohën e okupimit serb ishte Kryetar i Aktivit të Drejtorëve të shkollave Fillore dhe të Mesme të Komunës së Prizrenit, ku kontribuoi në ruajtjen e shkollës shqipe. Ishte organizator i formave të ndryshme të rezistencës, duke përfshirë edhe protestat në mbrojtje të shkollës shqipe dhe në organizimin e sistemit arsimor në gjuhën shqipe.
Ridvan Hoxha ishte aktiv edhe në sport si futbollist, trajner dhe drejtues i KF “Vëllazëria” të Zhurit. Një kohë ka kontribuar edhe si drejtues i KF “Liria”.
Ridvan Hoxha do të na mungojë të gjithëve si një qytetar aktiv, gjithmonë pozitiv dhe i buzëqeshur!
Në emër të qytetarëve të Prizrenit dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve! Zoti ju dhaftë durimin që ta përballoni dhimbjen!

Leave a Reply