Qerkezi: Shpresa nuk na zhduket se një ditë fati i tyre do të zbardhet, se një ditë do të çelen arkivat

0
78

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.

Në mesin e këtij numri janë edhe 2 djemtë dhe burri i Ferdonije Qerkezit nga Gjakova. Qerkezit lufta i’a mori 4 djemtë dhe burrin, mirëpo kufomat e tre familjarëve të saj ajo ende po i pret.

“27 Prillin e pres me dhimbje të madhe. Kam të zhdukur burrin dhe dy djemtë, derisa dy të tjerë janë gjetur. Pra Dita e 27 Prillit është dita më e ngarkuar, më e mërzitshme, jo vetëm për mua por edhe për të gjithë të tjerët”, deklaroi Nënë Ferdonije për “Lajmet e fundit” në RTK.

Ajo edhe pse në dhimbje, u shpreh me shpresën se një ditë do të hapen arkivat.

“Për fatin e burrit dhe dy djemve të mi, që ende nuk janë gjetur, ditët po kalojnë e dhimbja sa vjen e shtohet, porse shpresa nuk na zhduket se një ditë fati i tyre do të zbardhet. Se një ditë do të çelen arkivat”, deklaroi Nënë Ferdonije.

Nënë Ferdonije pati kritika ndaj institucioneve shtetërore në përkujdesjen e tyre ndaj saj dhe familjarëve të të pagjeturve në përgjithësi. Ajo vizitohet vetëm në shënimin e përvjetorëve të ngjarjeve.

Ndryshe, shtëpia e Nënë Ferdonijes është shndërruar në shtëpi Muze ku ruhen të gjitha reliktet e anëtarëve të familjes Qerkezi, që nga koha e luftës. Sot, në Ditën e të Pagjeturve, pritet të vendoset pllaka, ku do të pagëzohet ‘Shtëpia e Durimit’, nga Kuvendi Komunal i Gjakovës.

Leave a Reply