MSH refuzon t’i ndryshojë masat, mbesin në fuqi të vjetrat

0
262

Edhe pse kanë kaluar më tepër se dy javë, Qeveria e Kosovës saktësisht Ministria e Shëndetësisë nuk ka rishikuar ndryshimin e mundshëm të masave antiCOVID.

Në kuadër të gjithë vendit, qytetarët vazhdojnë të ndjekin masat antiCOVID që ishin vendosur gjatë muajit tetor.

Kësisoj qytetarët kanë për detyrë që ende të respektojnë masën e vendosur në kuadër të lëvizjes së lirë, apo orën policore të vendosur nga ora 00:00.

Përpos kësaj në kuadër të lëvizjes së linjave publike të autobusëve numri vazhdon të jetë i kufizuar, e gastronomia po funksionon me kushte të përgjysmuara.

Pavarësisht gjithë kësaj, masat antiCOVID nuk pritet të ndryshohen.

Kjo së paku merret vesh nga përgjigja e dhënë së fundi për lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë.

“Tash për tash mbesin në fuqi masat aktuale. Masat rishqyrtohen në vazhdimësi, varësisht prej situatë epidemiologjike në vend”, u tha në përgjigjen e MSH-së.

Por gjithashtu u theksua se për momentin nuk ka ndryshime për masat aktuale.

“Për momentin nuk ka ende ndryshime në masat aktuale”.

Për dallim nga shtetet e rajonit, ato të Evropës por edhe në botë, Kosova është nga vendet e pakta që së fundi nuk pati ngritje të numrit të të infektuarve me virusin COVID-19.

Madje brenda gjithë javës së kaluar në Kosovë u shënua vetëm një rast i vdekjes si pasojë e këtij virusi.

Tani për tani në gjithë vendin janë gjithsej 447 raste aktive me COVID-19.

Numri i testimeve brenda një ditë vazhdon të variojë nga 900 deri në 1 mijë e disa teste në 24 orë.

Por me masat antiCOVID nuk vazhdojnë të pajtohen përfaqësuesit e Gastronomisë dhe Hotelerisë.

Madje së fundi përfaqësuesit e gastronomëve dhe hotelerisë kërkuan që të zgjatet orari i punës së tyre, e deri te mundësia e mbajtjes së dasmave dhe ahengjeve të tjera.

Por përgjigje pozitive lidhur me këtë kërkesë nuk morën nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.

Marrë për bazë faktin se të njëjtit vazhduan të kërkonin zbutjen e masave antiCOVID, MSH vazhdon me masat e njëjta madje duke mos ndryshuar asgjë në to.

Në kuadër të vaksinimit antiCOVID, Ministria e Shëndetësisë tashmë ka mundësuar që vaksinimi të bëhet edhe në qendra tregtare.

Pavarësisht kësaj interesimi për vaksinim vazhdon të jetë mjaftë i ulët.

Deri tani të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës janë 842 mijë e 214 qytetarë.

Duke filluar prej sot në Kosovë do të mund të vaksinohen edhe qytetarët jo-kosovarë.

Nga Ministria e Shëndetësisë është theksuar se është bërë miratimi i rekomandimit të Komitetit për imunizim kundër COVID-19, që mundëson vaksinimin e qytetarëve jo-kosovarë në Kosovë.

Leave a Reply