Zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës risollën në krye të Shtëpisë së Bardhë republikanin Donald Trump. Në betejën elektorale përballë demokrates Kamala Harris, ai triumfoi bindshëm. Ai rikthehet si president pas dy atentateve ndaj tij dhe pas një kampanje elektorale me mesazhe të fuqishme që paralajmëruan ndryshime goxha thelbësore jo vetë brenda ShBA-së, por gjithandej globit.
Derisa situata në rrafshin global është e pazakontë dhe rendi aktual botëror shihet mjaft i brishtë, për publicistin dhe shkrimtarin Fatos Lubonja, fitorja e Trumpit s’është ekzagjerim të quhet edhe njëfarë kthese historike. Në intervistën e mëposhtme, Lubonja flet me thellësisht për triumfin e republikanit në një periudhë krize të sistemit neoliberal globalist, siç e konsideron. Për të, me presidentin e ri amerikan Evropa e NATO do të jenë të sfiduara. Këdvështrimi i Lubonjës pret zhvillime më të hovshme sa i përket luftës në Ukrainë dhe proceseve si ato në Ballkanin Përëndimor.
Intervistoi: Shkodran Hoti – Express
–Zgjedhjet në ShBA risollën në krye të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, i njohur botërisht për kontraversitetin e tij. Si e keni parë rikandidimin e tij dhe një fitore dukshëm më të thellë se herën e parë?
Lubonja: Mendoj se kandidimi dhe fitorja e tij duhen parë përtej personazhit Trump. Dhe duhet ngritur pyetja se si ka mundësi që është votuar kaq shumë, që ka fituar një personazh, i cili shquhet për atë që ju e quajtët kotraversitet, por më direkt do ta quaja arrogancë, narcizizëm, mizogjeni që përdor një gjuhë të papranueshme për një politikan serioz. Dhe pyetja prapë mbetet: mirë që në vitin 2016 amerikanët nuk e njihnin dhe bënë një eksperiment, por pas 2016-ës e njohën dhe tani e kanë votuar me vetëdije. Pra, duhet bërë një analizë pak më e thellë se ç’tregon kjo.
A është kjo fitore e “trumpizmit” apo më shumë dështim dhe humbje e rendit liberal?
Lubonja: Pa dyshim që këtu kemi të bëjme me krizën e atij që njihet si sistemi neoliberal globalist. Është një krizë që nuk vjen sot, por prej kohësh. Problemi është se elita neoliberale që e ka prodhuar, jo vetëm në ShBA, por edhe në Evropë, ka reflektuar pak për përgjegjësitë e saj. Ajo ka vazhduar të luajë me kartën e rrezikut të atij që ju e quajtët trumpizmi, apo të fashizmit, sovranizmit, populizmit, por nuk ka parë vetveten. Kur them këtë, kam parasysh se nuk ka parë aq sa duhet realitetin e efekteve negative që ka krijuar ky sistem duke mbetur në dëshirat e interesat e veta, në vullnetin e vizionin e vet, ndërkohë që gjërat kanë ndryshuar. Neoliberalët i kanë mëshuar shumë atyre që quhen të drejta civile, që janë të rëndësishme, por kanë humbut nga pamja ato që quhen të drejta sociale. Në debatin mes Hillary Clintonit dhe Bernie Sandersit, në kohën kur Clinton fitoi dhe pastaj hyri në garë me Trumpin, përdoreshin dy terma. Njëri ishte “recognition”, që përçonte idenë e njohjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, të minoriteteve, të LGBT-së, të grave, etj. që reklamonte Clintoni. Tjetri “redistribution” që kërkonte Sandersi që ka të bëjnë me disa të drejta themeltare, siç është e drejta e të gjithëve për kujdesin shëndetësor, arsimimin, që kanë të bëjnë, tek e fundit, me rishpërndarjen më të barabartë. Fitoria e Clintonit ndaj Sandersit në atë kohë u lexua edhe si humbje e sensibilitetin të elitës që ajo përfaqësonte ndaj të drejtave sociale. Në këtë aspekt, mendoj që “kuajt” e betejës që i kanë sjellë fitoren Trumpit asokohe por edhe kësaj here, (nisur edha nga çka lexojmë e shohim), janë të lidhura me këtë ndjeshmëri. Ajo ndaj ekonomisë (rritja e inflacionit e pabarazisë) dhe çështja e emigrantëve që, paradokasalisht, lidhet me të parën sepse thuhet se një pjesë e emigrantëve, veçanërisht ndër latinët, brezi i dytë i tyre, e shikojnë emigracionin si rrezik sepse iu merr vendet e punës, si “nën-proletariat”, nëse do të përdorja një term marksist.
Kështu që, këta faktorë kanë bërë që gjuha e papranueshme e Trumpit për një vend normal, fjalët e gjestet e tij skandaloze të tij ndaj Kamala Harrisit të dalin në plan të dytë sëbashku me çështje të tilla si ajo e të drejtës së abortit etj..
Pra, doni të thoni se triumfi i Trump është manifestim i mungesës të së majtës?
Lubonja: Po, sepse e majta nuk përfaqëson më shtresat e brishta, punëtorët etj.. Ajo përfaqëson gjithnjë e më shumë një elitë të kamur, apo edhe një shtresë të mesme të arsimuar që ka humbur kontaktin me këto shtresa. Kini parasysh gjithë ata aktorë të famshëm të Hollivudit si De Niro etj. apo këngëtarë si Madona etj. që mbështetën Harrisin. Si ka mundësi që nuk ndikojnë ngrihet pyetja? Kjo bëhet më e kutueshme po të kemi parasysh se janë të gjithë milionerë. Është e vërtetë se edhe në shtabin elektoral të Trumpit kemi parë një supermiliarder si Elon Musk, por atje kishte edhe punëtorë, sidomos nga pjesa e të bardhëve, apo njerëz që ndjehen të nëpërkëmbur nga një lloj ndjenje superioriteti apo neglizhimi, që u përçon elita demokrate. Kësaj here pamë të përdoret shumë fjala “woke” apo “woke culture” në kuptimin negativ, si akuzë ndaj të majtëve progresistë që merren me çështje minoritare të cilat i trajtojnë si çështje të mëdha ndërkohë që harrojnë çështjet e mëdha që përmenda më herët. Pra, nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një krizë të së majtës sepse mungon përgjigjja e saj ndaj krizës që ka krijuar neoliberalizmi globalist. Njerëzit kanë zgjedhur t’i përgjigjen kësaj krize duke përqafuar tezat e djathta, kristian-nacionaliste apo nacional-konservatore.
Cilat janë efektet që sipas jush do t’i shohim sa i përket marrëdhënieve transatlantike?
Lubonja: Ndoshta e ekzagjeroj, por për mua jemi në një kthesë historike. Nga deklaratat e Trumpit del një frymë gati përçmimi për vendet e Evropës Perëndimore. Këta “vende të vogla”, do të paguajnë një çmim shumë të lartë ka thënë ai duke premtuar “tarifa” të larta ndaj tyre. Dhe kuptohet që këto tarifa do t’ia vështirësojnë punët Evropës në marrëdhëniet ekonomike që ka me ShBA-në. Ky është njëri aspekt.
Aspekti tjetër i rëndësishëm vështirësimi lidhet me krizën e ambientit, “ekonominë e gjelbër” që në Evropë e kanë shumë përzemër, kurse Trumpi dhe të tijtë janë kundër.
Po ashtu lidhur me NATO’n. Me gjasa ai do ta fusë në krizë funksionimin e NATO’s duke kërkuar nga evropianët të paguajnë shumë para, që përsëri do t’i fusë në krizë vendet evropiane.
Por Trumpi mund të jetë edhe një shans që Evropa ta kuptojë se duhet të krijojë një pavarësi nga SHBA në politikat e veta. Megjithatë, kam dyshime se ajo mund t’ia arrijë kësaj.
Pra qëndrojnë edhe pritjet se me Trumpin president mund të forcohet ideja e një BE-je më të pavarur nga Shtetet e Bashkuara, e njëkohësisht më të fuqishme?
Lubonja: Po, por, ka një problem. Vërtet BE mund të ndërgjegjësohet që duhet të bëjë politika të pavarura, por nëse flasim për një Evropë që mbetet e bashkuar. Por problemi i madh që del është nëse do të qëndrojë ky bashkim apo bashkë me “trumpizmin” do t’shohim një lloj triumfi të atyre që quajmë forca sovraniste në Evropë, që janë për kthimin e parësisë së shtetit-komb. Pra, ekziston rreziku të shohim një dezintegrim të Evropës në këtë situatë, por shkaku duhet parë përsëri jo të Trumpi, as të sovranistët në Evropë, por te politikat e gabuara të elitave neoliberale globaliste që i kanë çuar njerëzit te sovranistët dhe Trumpi.
Folët pak më herët lidhur me atë se Trump edhe në kampanjën e sivjetshme është shquar për deklarata që shprehin skepticizëm në raport me NATO-n. Të zgjerohemi pak këtu. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg ishte shprehur kohë më parë se kthimi i Trump do e sfidojë Aleancën Veri-Atlantike. Por, sekretari aktual Mart Rutte, në urimin e tij pas fitores tha se udhëheqja e Trumpit do të jetë edhe njëherë çelësi për të mbajtur Aleancën të fortë. Cilit t’i besojmë më shumë?
Lubonaj: Pa përjashtuar mundësinë që të ndodhë njëra apo tjetra, besoj se qasja e Trumpit ndaj NATO’s të çon më shumë tek mundësia e parë. Teza e tij “America first”, një lloj anti-evropianizmi që shpreh kur u kërkon vendeve evropiane të paguajnë para për armatimin sepse po i mban Amerika, kombinuara me akuzat e Putinit se shkaku i luftës në Ukrainë ishte afrimi i NATO-s drejt Rusisë dhe me atë se Trumpi ka premtuar ta mbyllë luftën sapo të vijë në pushtet të çojnë te ideja se Trumpi nuk do t’i vazhdojnë politikat që ka ndjekur Nato deri tani në luftën në Ukrainë, që kanë qenë për vazhdimin e luftës deri në fitore. Kompromisi që Trumpit mund të gjejë për të mbyllur luftën, bashkuar si faktor me ato që thashë më herët, mund të na çojë në një NATO të riformatuar, pa peshën që ka pasur si instrument edhe i ekspansionit amerikan në botë.
Në faktë këtu hapet një temë shumë e gjerë që mund të quhet: Trumpizmi, dhe rendi të ri botëror i kërkuar nga BRICS. Duket se rendi i bazuar mbi hegjemoninë amerikane i ndërtuar pas Luftë së Ftohtë sot është më i lëkundur se kurrë. Trumpi duket se beson më shumë te forca e Amerikës në kompeticion me shtetet e tjera, dhe ku më shumë se te të drejtat e njeriut që kanë qenë si flamur apo pararojë e ndërhyrjeve, ai i shikon interesat e SHBA me një qasje pragmatiste ndërtimi partneritetesh të pakondicionuara nga sistemet demokratike apo autoritare të parnerëve të mundshëm. Edhe kjo të bën të mendosh se mund të kemi një tjetërlloj bote që prapë s’e parashikojmë dot, se gjithsesi Trumpi nuk bën dot gjithçka siç mund dojë. Sepse në Amerikë ka edhe forca që mund ta frenojnë apo ta çojnë në kompromise.
Cili do të jetë roli i administratës së re sa i përket luftës Rusi-Ukrianë, kur tashmë i kemi dëgjuar deklaratat e Trump se do t’i jepte fund luftës për 24 orë, por edhe atë se kjo është një çështje evropiane?
Lubonja: Unë shoh që premtimi për mbylljen e luftës i jep avantazhe Putinit. Ende s’po dimë se si mund të ndodhë, as ai vet ndoshta nuk e ka të qartë, por duket se do t’i ofrojë Putinit një projekt me një lloj kompromisi, për t’dalë nga lufta që sot për sot nuk mund të jetë i pranueshëm nga Rusia nëse i kërkohet të tërhiqet nga Krimeja dhe nga të gjitha zonat që ka pushtuar apo që Ukraina të bëhet pjesë e NATO’s. Kompromisi, me shumë gjasa që do të sakrifikojë Ukrainën dhe do të fusë në një krizë më të madhe Evropën, duke patur parasysh edhe se jo të gjitha vendet evropiane kanë të njëjtën qasje ndaj luftës. Së fundi nga disa nga këta vende perëndimore si SHBA, Britania, Gjermania, Kanadaja, Franca po shohim disa sjellje kontradiktore: edhe plane për një strategji daljeje nga lufta edhe prirje për ta përshkallëzuar atë përpara se Trumpi të hyjë në Shtëëpinë e Bardhë. Kam parasysh lejimin e përdorimit të rraketave në territorin rus ndaj të cilit rusët reaguan duke thënë se kjo na çon në Luftën e Tretë. Jemi vërtet në kohë krize me një klase politike të paaftë për t’i dalë zot asaj.
Sigurisht një status-quo në Ballkanin Përëndimor prej kohësh, e shton interesimin edhe për rolin që presidenti i ri amerikan do ta ketë në këtë rajon. A mund të presim që ai mund ta marrë drejtimin e proceseve këtu?
Lubonja: Administrata Biden dhe Evropa kanë qenë më të sinkrinizuar në disa qëndrime në rajonin tonë. Besoj se me Trumpin do të ketë ndërhyrje, por në tjetër kahje nga ç’kanë qenë ose ç’janë synimet e Evropës së deritanishme. E, kur flasim për Evropën, duhet ta kemi parasysh se edhe vetë ajo është në proces, po kërkon ekuilibrat e reja, sepse lëvizjet sovraniste kërcënojnë pushtetin e elitave aktuale që detyrohen të ndryshojnë qëndrime, siç kemi parë edhe me ato ndaj emigracionit.
Parashikoj që Trumpi me natyrën e tij dhe politikat që ka bërë edhe më herët dhe paralajmëruar të bëjë, mund të mos përfillë disa “tabu”, që janë vendosur nga historia në Evropë për shkak të dy luftërave botërore. Një nga këto është pikërisht mosndryshimi i kufijve zgjidhja e konflikteve etnike nëpërmjet të tjera mjetesh, siç është Bashkimi Evropian. Trumpi mund të kërkojë zgjidhje që e thyejnë këtë tabu të rëndësishme për Evropën që përndryshe kërcënohet keqas nga shtetet etnike.
Ai projekti i ndryshimit të kufijve të Kosovës p.sh., për mendimin tim është projekt që nismën ndoshta e kishte edhe në Beograd, apo edhe në Tiranë, jo te Trumpi. Por ama u përdor pikërisht administrata e tij përta realizuar. Ishin disa personazhe të njohur si Grenelli, që kanë edhe interesat e tyre ekonomike në këtë zonë që e çuan deri në tryezën e Trumpit. Dhe një projekt i tillë ka gjasa që të rimerret, nuk e di në çfarë forme, dhe do të ketë përballë një Evropë edhe më të dobët për ta kundërshtuar nga ç’ishte Evropa në kohën e Merkelit. Sepse ishte kryesisht në sajë të Gjermanisë që ky projekt nuk eci përpara. Kurse sot Gjermanisë i ka rënë krejtësisht autoriteti me ato çka kanë ndodhur në luftën në Ukrainë që e kanë futur në krizë politike dhe ekonomike.
Me gjithë këto që thoni, kjo ndërhyrje në Ballkanin Përëndimor a do të jetë më afër dimensionit ekonomik apo rishikimeve territoriale?
Lubonja: Nuk i ndaj njërën nga tjera. Nuk i ndaj interesat ekonomike të ShBA’së, bile edhe interesat individuale të personave të caktuar si p.sh. Grenelli me lëvizjet politike. Çfarë është akoma më e rrezikshme sipas mendimit tim është se një nga karakteristikat e Trumpit është se ai zgjedh problemet me liderë që i quan si partnerë dhe vendos me ta, pa përfillur instrumentet demokratike, debatin, referendumin etj.. Kështu që me një figurë si Vuçiqi në Serbi e me një figurë si Rama në Shqipëri, dhe Trumpin në anën tjetër me ndërmjetësues si Grenelli, mund të merren vendime pa përfillur fare vullnetetet e popujve që preken nga këto vendime.
Po si e shihni rolin e tij në procesin e stërgjatur të dialogut mes Kosovës e Serbisë? A mund të presim marrëveshje finale në këto katër vite?
Lubonja: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe dialogu mes tyre nuk ka ecur, ama është shumë i rëndësishëm sepse s’mund të zgjidhen gjithë ato probleme me një të rënë lapsi. Pavarësisht se Evropa ka dështuar sepse ka treguar standarde të dyfishta, duke i bërë lëshime Serbisë për të afruar Vuçiqin, apo duke e lënë mënjanë mbështetjen që i pati dhënë Kosovës për pavarësinë, gjithsesi dialogu ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për një lloj afrimi. Por, do të duhej të ishte më i hapur, jo midis dy liderëve, por edhe nëpërmjet ndërshkëmbimit mes faktorëve të shoqërisë civile, kulturorë, mediatikë etj.. Por jy lloj vizioni që po parashtroj më duket e kundërta e vizionit të Trumpit. Ai nuk është politikan i dialogut. Ai është politikan i “jam unë këtu”, “vendos unë këtu”… Prandaj është kontradikore të flasësh për Trumpin si ndihmës i dialogut. Ai është vendosës i ndërprerjes së dialogut dhe imponues i një marrëveshjeje të detyruar.
Duke pasur parasysh këto që thoni dhe portretin që i bëni Trumpit, a mendoni se mund të prodhojë pasoja fakti që pushteti në Kosovë ka pasur marrëdhënie të acaruara me administratën e tij, më konkretisht me një prej njerëzve të tij që pritet të jetë prapë në një pozitë të rëndësishme, Richard Grenell?
Lubonja: Mendoj që Albin Kurti kurrsesi nuk mund t’jetë i kënaqur me fitoren e Trumpit. I duhet të bëjë politikë si kryeministër, por është e qartë se ai ka qenë mbështetës i Harrisit dhe se Kosovës i levderdiste fitorja e saj. Po të shikosh në një kontekst më të gjerë, mund të them se ka plot njerëz që mezi presin që Trumpi të ndërpresë luftën në Ukrainë. Ka edhe plot gazetarë të së majtës në Itali, që kanë thënë se në qoftë se ka ndonjë të mire ai është se do e ndërpresë luftën. Mbyllja e luftës, që nënkupton një fitore të Putinit, pa dyshim që në nivel më të ngushtë lokal të interesit tonë si shqiptar, nuk e favorizon Kosovën.
Kam frikë se Albin Kurti mund konsiderohet si një pengesë për rimarrjen e planit të vjetër të ndryshimit të kufijve që përmenda dhe që- mund ta lehtësojë mbyllja kështu e luftës. Aq më tepër në qoftë se do të shtojmë një faktor tjetër, që një protagonist i asaj zgjidhjeje ka qenë edhe Edi Rama i cili ka arsyet e veta, me shumë se një, për të mos pasur raport të mirë me Albin Kurtin, mundësisht për ta eliminuar atë politikisht. I ka dhënë disa herë sinjalet që ka dashur ta bëjë këtë nëpërmjet të huajve, (ndonjëherë evropianëve, ndonjëherë amerikanëve). Kështu që patjetër se kjo qeveri do të ketë rrëziqet e veta, por mendoj se kjo çështje duhet parë përtej kësaj qeverie. Duhet parë edhe nga opozita, me shqetësim se çfarë mund të ndodhë. Nuk mund të ngelen shqiptarët në atë stilin e tyre të vjetër, që për interesat e mia personale apo grupit dhe partisë, bashkohem me cilindo e me çdo opsion duke harruar se jam pjesë e një gjëje më të madhe: interesit të Kosovës.
Për dallim nga 2016-a, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, liderët u kursyen nga njëfarë rreshtimi në zgjedhjet amerikane. Kryeministri Edi Rama madje u shfaq optimist për rolin e tij, kurse kryeministri Albin Kurti kësaj radhe s’bëri thirrje për votimin e Kamala Harris. Pse kjo gjë?
Lubonja: Mendoj që një arsye është se kanë nuhatur se ai mund të fitojë dhe i kanë dalë përpara kësaj. Rama ndoshta duke menduar që gjithsesi edhe po humbi Trumpi, demokratët “i ka në xhep”, në kuptimin që është mik i Sorosit. Kështu që ka marrë masat edhe në rast të një fitoreje të Trumpit. Besoj se kjo ka ndikuar që edhe Kurti të tregohet më i matur. Fundja dhe Jeff Bezos që nuk lejoi mbështetjen për Kamala Harrisin në Washington Post, sipas disa të dhënave, e bëri këtë sepse ishte më i informuar se të tjerët, se do të fitonte Trumpi.
Pastaj Rama ka bërë edhe një veprim tjetër: i ka ofruar dhëndrit të Trumpit para disa kohe edhe mundësinë që të bëjë invesitime në Shqipëri, në Sazan, në lagunën e Vjosës. Siç ka bërë edhe Vuçiqi. Mbetet dyshimi se ka edhe një lloj dakordance Rama – Vuçiq në këtë aspekt, prandaj t’shkon mendja edhe te ai shkëmbimi i territoreve që lidhet edhe me lobuesit e përbashkët që kanë te Trumpi të dy. Këtë e them si hipotezë, por që mund të investigohet.
Çka do të mund të shtoja tjetër për Kosovën është se nuk di sa do ta ndihmojë Albin Kurtin ky lloj elasticiteti.
Në ç’kuptim?
Lubonja: Në kuptimin që të kthejë edhe ai fletën siç bëri Rama pasi kishte deklaruar se Trumpi është rrezik për botën, pastaj u afrua me të. Sepse një lloj force që ka pasur Albin Kurti në opinion, pavarësisht edhe problemeve që mund të sjellë kjo, është një lloj koherence: qëndrimi me kokëfortësi në disa gjëra që ka thënë. Them se kjo i ka dhënë një lloj besueshmërie, të paktën te një pjesë e elektoratit, edhe në kohën kur në Kosovë e Shqipëri ishin shumë herë më fanatikë në atë se çfarë thotë Amerika, duhet ta bëjmë, ciladoqoftë kjo Amerikë. Se siç tregon koha, janë dy Amerika tani, një e Trumpit dhe një e Bidenit. Prandaj ngulmoj që politikanët shqiptarë duhen të forcohen e të mbajnë qëndrime autonome, çka nuk do të thotë t’i hapin luftë Amerikës. Kështu që një lloj ndërrimi i flamurit përsa i përket vizionit që ke për botën më duket se vetëm se i humbet pikë Kurtit sepse tek Rama braktisja e çdo vizioni për interesa pushteti bën pjesë në qenien e tij si politikan.