Gjyqtari Artan Sejrani tërhiqet nga gara për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren

0
448

Gjyqtari Artan Sejrani, që aktualisht është Ushtrues Detyre i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, ka tërhequr kandidaturën e tij për pozitën e Kryetarit të kësaj gjykate, raporton Drejtësia Sot.

Tërheqja e gjyqtarit Sejrani nga kjo garë është bërë e ditur përmes një emaili që ky i ka dërguar anëtarëve të Komisionit për Intervistimin dhe Vlerësimin e kandidatëve për konkursin në fjalë.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, gjyqtarit Qerim Ademaj, në emailin e dërguar nga z. Sejrani është potencuar se i njëjti ka vendosur që të tërhiqet nga gara për shkaqe subjektive.

Ndryshe, sot, komisioni i udhëhequr nga gjyqtari Ademaj, dhe anëtarët Cerim Fazliji dhe Vilard Bytyqi, ka intervistuar kandidatin e vetëm për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, gjyqtarin Agron Hoxhaj.

Konkursi për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren ishte shpallur në bazë të vendimit KGJK.nr.15/2021, i datës 27 janar 2021, dhe i njëjti ka paraparë kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët që synojnë këtë pozitë.

Kësisoj, në konkursin që ka qenë i hapur nga 5 deri më 19 shkurt 2021, për kryetar të gjykatës mund të aplikonin vetëm gjyqtarët që vijnë nga radhët e asaj gjykate përkatëse duke përfshirë dhe degët.

Kandidati për kryetar të gjykatës duhet të plotësonte kriteret themelore si në vijim: të ketë të paktën tri (3) vite përvojë pune si gjyqtar, si dhe të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimisht nëse ndaj tij është shqiptuar masa e qortimit ose vërejtjes jo-publike, në pesë vitet e fundit.

Kandidati për kryetar të gjykatës përveç profesionalizmit dhe kualifikimeve për kryerjen e funksionit, duhet të kishte aftësi dhe njohuri në kryerjen e punëve të udhëheqjes dhe organizimit brenda gjykatës si dhe integritet personal, që nënkuptojnë: njohjen e punëve të administratës gjyqësore; reputacionin të cilin kandidati gëzon nga ana e kolegëve gjyqtarë, komunikimin korrekt me palë dhe kolegë brenda gjykatës, gatishmërinë për bashkëpunim me organizata dhe institucione tjera dhe të qenurit kreativ në punë duke lehtësuar kështu punën e gjykatës.

Referuar konkursit, vlerësimi i aftësive të lartpërmendura bëhet edhe përmes intervistës me kandidatin për kryetar të gjykatës.

Kujtojmë që me vendimin KGJK.nr.102/2020, i datës 23 qershor 2020, KGjK kishte vendosur që ta caktonte Ushtrues Detyre të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, gjyqtarin Artan Sejrani, i cili ishte nënkryetar i kësaj gjykate.

Referuar dispozitivit të këtij vendimi, ishte vendosur që z. Sejrani të ushtronte këtë pozitë nga data 4 korrik 2020 deri në emërimin e kryetarit të ri nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Caktimi i z. Sejrani, si UD i Kryetarit të kësaj gjykate, kishte ardhur për arsye se ish kryetari, Ymer Hoxha, ishte liruar nga detyra e gjyqtarit për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, që në bazë të legjislacionit në fuqi, arritja e moshës së pensionimit të gjyqtarit është shkak që ai të përfundon edhe mandatin e tij si Kryetar i Gjykatës përkatëse.

Duke qenë se GLPS / DREJTËSIA SOT në vazhdimësi ka monitoruar punën e KGJK-së, me theks të veçantë proceset që kanë të bëjnë me zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave, ka konstatuar se kemi të bëjmë me mosrespektimin e afatit ligjor për shpalljen e konkursit për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren.

Drejtësia Sot me anë të një letre drejtuar ish – Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Skënder Çoçaj, kishte kërkuar një sqarim se pse KGJK nuk ka hapur konkurs për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren brenda afateve të përcaktuara me dispozita ligjore.

Në përgjigjen e tij, z. Çoçaj kishte thënë që kjo çështje është veçse në planin e punës së KGjK-së mirëpo duke e pasur parasysh që përhapja e pandemisë COVID-19 ka ndikuar edhe në sistemin gjyqësor, për shkak të rrezikshmërisë së virusit, është pamundësuar hapja e procesit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren.

Drejtësia Sot kishte konstatuar mosrespektimin e dispozitave të Rregullores (Nr. 09/2016) për procedurat e zgjedhjes, emërimit, vlerësimit, pezullimit dhe shkarkimit të kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nga KGJK, gjegjësisht të nenit 3, paragrafi 1 dhe 2, lidhur me mos shpalljen e konkursit për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, pasi që nga data 3 korrik 2020, ish-kryetari Ymer Hoxha ka arritur moshën e pensionimit.

Kësisoj, paragrafi 1 i nenit 3 të kësaj Rregulloreje parasheh që Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vendim shpall pozitën e lirë jo më vonë se dyzetepesë (45) dite para skadimit të mandatit të kryetarit të asaj gjykate.

KGjK në takimin e mbajtur më datë 6 gusht 2020, nuk e ka futur në rend të ditës hapjen e konkursit për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren siç është propozuar nga gjyqtari Avni Mehmeti, por të njëjtin institucion e ka lënë vetëm me ushtrues detyre.

Kjo kishte si pasojë mosrespektim të nenit 3, paragrafi 2 i Rregullores Nr.09/2016, sepse e njëjta parasheh se në rastet kur pozita e kryetarit mbetet e lirë, në këtë rast pensionimi i z.Hoxha ka bërë që kjo pozitë të mbetet e lirë, atëherë konkursi shpallet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë, në faqen e internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Duke qenë se në fillim të vitit 2021, situata me pandeminë kishte filluar të vihet nën kontroll nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe që të mos vazhdohet me zvarritjen e këtij procesi, anëtari i KGjK-së, gjyqtari Avni Mehmeti, kishte propozuar që ky institucion të shpall konkurset për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, Prishtinë dhe Ferizaj, duke qenë se të njëjtat ishin vetëm me Ushtrues Detyre.

Ndryshe, gjatë kësaj jave, përveç intervistimit të kandidatëve për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, KGjK do të bëj edhe intervistimin e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, dhe për pozitën e Gjyqtarit Mbikëqyrës në Malishevë, Rahovec, Deçan, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Vushtrri.

GLPS / DREJTËSIA SOT, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga përhapja e pandemisë, fton KGJK-në që me kohë të shpall dhe të përfundojë proceset e emërimeve brenda gjyqësorit dhe gjithashtu inkurajon që i njëjti të vazhdojë transparencën me publikun, duke mundësuar që këto procese të monitorohen nga ana e shoqërisë civile dhe akterëve ndërkombëtar./Drejtesia Sot

Leave a Reply