Gjermania përballet me Turqinë, De Boer debuton ndaj Meksikës

0
320

Në pritje të ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve, Supersport do të sjellë ekskluzivisht për të gjithë abonentët tri sfida miqësore mjaft interesante, ku në fushë do të zbresin emra të mëdhenj të futbollit europian si Gjermania, Italia e Holanda.

Kështu “Panzerat” do të përballen me Turqinë në orën 20:45 në “RheinEnergie Stadium” të Kolnit, në një miqësore mjaft prestigjoze që do t’u shërbejë trajnerëve përkatës për të parë në fushë edhe futbollistët që kanë luajtur më pak kohët e fundit.

Po në të njëjtën orë, Italia do të presë në “Artemio Franchi” të Firenzes modestët e Moldavisë. Në prag të dy përballjeve të rëndësishme në Ligën e Kombeve, trajneri Roberto Mancini do të përdorë testin e sotëm për t’u dhënë hapësira futbollistëve të rinj që ka thirrur në ekip.

Në “Johan Cruijf Arena” të Amsterdamit, Holandën do ta vizitojë Meksika, në një tjetër miqësore mes dy skuadrave që mbajnë përkatësisht vendin e 13 dhe vendin e 11 në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Kjo do të jetë edhe ndeshja ku do të debutojë në pankinën e “tulipanëve” trajneri Franck De Boer, i cili u emërua në atë pozicion vetëm pak ditë më parë për të zëvendësuar Ronald Koeman, që la Holandën për Barcelonën në fund të muajit gusht./SS/

Leave a Reply