Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë po i kërkojnë hapur Republikës së Kosovës që t’i bashkohet projektit amerikan të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) dhe gjithashtu theksojnë përkrahjen edhe për të diversifikuar burimet e energjisë siç është gazifikimi i qymyrit.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e SHBA-së kanë thënë se Washingtoni zyrtar përkrah nismat që Kosova të diversifikojë burimet e saja të energjisë.
Në këtë përkrahje përfshihet përdorimi i teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, përdorimin e burimeve të rinovueshme, dhe nxitja e Kosova për t’iu bashkuar tubacionit të gazit natyror, për të cilin e ngarkuara me punë Annu Pratipati është deklaruar javën e kaluar.
Ambasada amerikane thotë se është e qartë që Kosova s’është duke prodhuar mjaftueshëm energji për të plotësuar kërkesat e brendshme të qytetarëve.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin iniciativat për të diversifikuar burimet e energjisë në Kosovë. Kjo përfshin përdorimin e teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, linjitin vendas, burimet e rinovueshme të energjisë dhe nxitjen e Kosovës për t’u bashkuar me tubacionin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) të përshkruar në artikullin tonë javën e kaluar. Një gjë është e qartë: Kosova aktualisht nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e brendshme”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së për Gazetën Express.
Ambasada amerikane tutje thekson se Kosova ka nevojë që t’i ketë në dispozicion të gjitha burimet e energjisë në mënyrë që të përmbushur rritjen e kërkesës në të ardhmen dhe gjithashtu për të zvogëluar varësinë nga importi i shtrenjtë i rrymës.
“Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e energjisë në dispozicion për të përmbushur rritjet e pritura të kërkesës në të ardhmen, për të rritur diversitetin dhe sigurinë e energjisë, si dhe për të zvogëluar varësinë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike”, kanë thënë nga Ambasada amerikane për Express.
Ambasada e SHBA’së thotë se çështja e diversfikimit s’është vetëm një aspekt teknik i zgjedhjes së një burimi të energjisë, por lidhet me sigurinë energjetike të Kosovës, që do të përballet me rritje të kërkesës në të ardhmen.
“Diversifikimi nuk ka të bëjë me zgjedhjen e një burimi mbi një tjetër; ka të bëjë me sigurimin që Kosova të ketë mundësi të shumta të besueshme në dispozicion për të përmbushur kërkesën në rritje në të ardhmen”, kanë përfunduar nga Ambasada e SHBA-së për Express./GazetaExpress/















































