2 Korriku i vitit 1990…

0
491

Që nga viti 1981 me organizimin e protestave dhe demonstratave studentore e më pas gjithëpopullore, Kosova dhe shqiptarët po jepnin sinjale të qarta se rruga drejtë lirisë dhe pavarësisë ishte e pakthyeshme dhe asesi e ndalshme.

Serbia, si okupatore dhe uzurpuese, vazhdoi me masat represive e cenuese ndaj shqiptarëve. Brutaliteti i veprimeve te saj, zgjoi në revoltë masën popullore dhe gjithë klasat e shoqërisë shqiptare. Organizime, tubime e fjalime, protesta e demonstrata të mëdha ishin në vigjilje te tyre. Vrasja e Aziz Kelmendit më 1987, heqja e autonomisë së Kosovës më 1989, arriti kulminacionin e pakënaqësisë gjithëpopullore e mbarë kombëtare.

Si rezultat i këtyre ngjarjeve, shqiptarët më të bashkuar se kurrë, vendosën t’i jepnin fund serbizimit të Kosovës, andaj me datën 2 korrik të vitit 1990, në ambientet e Parlamentit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese e cila shpallte pavarësinë e saj. Kjo deklaratë nuk u njoft ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Deklarata Kushtetuese, shpallte Kosovën njësi të veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Këtë deklaratë e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, por edhe nga komunitete të tjera, para dyerve te Kuvendit të Kosovës.
Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, ishte Muharrem Shabani, ndërsa nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Iljaz Ramajli, i cili faktikisht udhëhiqte me shumicën e delegatëve, meqë kryetari ishte nga radhët e serbëve që kundërshtonin autonominë dhe pavarësinë e Kosovës.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot, e ka një rëndësi të veçantë sepse e ka definuar dhe e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës.
2 korriku i vitit 1990, mendoj se paraqet lidhjen e dytë më të organizuar të shqiptarëve. Kjo datë tregon pasqyrën e qartë të vuajtjeve, luftës dhe sakrificës së shqiptarëve e cila po kulmonte dhe realizonte ëndërrën e kahmotshme mbarë kombëtare për liri e pavarësi.

Ne gjeneratat e reja, gjithmonë duhet t’i kujtojmë dhe nderojmë këto data me mburrje e krenari, s’i pjesë emblematike të historisë tonë. Shiko më pak.

Shkruan: Vetim SHALA

Leave a Reply