“Serioz dhe i balancuar”, çka tha Borrell rreth propozimit të BE-së për draftin e Asociacionit

0
138

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian Josep Borell ka folur për herë të parë rreth propozimit të Pesëshes për draft-statutin e Asociacionit të cilin e sollën më 21 tetor në Prishtinë. Duke e përmendur si pengesë, Borrell tha se BE ka bërë një propozim serioz dhe te balancuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se kanë insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që siç tha ai, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit.

“Është një pengesë e madhe e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen spiralet e reja të dhunës”, ka thënë ai.

Borrell ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog pasi tha se kjo është mënyra e vetme për të avancuar tutje në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës pas takimeve ka konfirmuar, se  edhe vetë kryeministri Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga diplomatët-euroatlantikë javën e shkuar.

Megjithatë, sërish nuk ka pasur nënshkrime të palëve, pasi siç ka thënë Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të enjten pas takimeve në Bruksel, një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.

Sipas Kurtit, “pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjes Bazë, Aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe as pavarësinë e saj”.

Mirëpo, ai tha se janë të gatshëm ta pranojnë “atë që është dakorduar”, transmeton Reporteri.net.

“Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet, kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por se jemi të gatshëm të përmbushim atë që është marrë vesh, letra e 21 tetorit është një e mirë. bazë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen”, ka thënë ai pas takimeve. /Reporteri

Leave a Reply