Selmanaj drejtuar Kurtit: Njerëzit nuk po ikin pse s’kemi më shumë ushtarë e policë, por se s’ka perspektivë

0
169

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se Qeveria i ka kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe se nuk e konsideron “perspektivën ekonomike” dhe mirëqenien e qytetarëve.

Selmanaj tha se ndërsa e dëgjonte kryeministrin Albin Kurti duke folur për mbrojtjen si prioritet kryesor, kishte pyetur se për çfarë po ikin kosovarët nga vendi.

“Kryeministri kur e mori fjalën, në pjesën e parë të prezantimit të buxhetit, filloi, tha ‘kaq armë kemi me ble, mbrojtja është prioriteti kryesor’. T’ju them të drejtën fillova të mendoj kështu, thash: këta njerëz që po ikin prej Kosovës a janë duke ikë pse s’kemi ushtarë më shumë, pse s’kemi policë më shumë? Jo të nderuar kolegë deputetë, të nderuar njerëz të Qeverisë, njerëzit po ikin prej Kosovës sepse nuk po shohin perspektivë. Ky kryeministër nuk foli fare sot për perspektivën ekonomike të tyre, mirëqenien e tyre, përkundrazi, foli për mbrojtjen, arsimin dhe shëndetësinë”, tha Selmanaj.

Deputeti tha se është koha që “jo veç me buxhetin e vitit 2024, por edhe me buxhetet tjera ta trajtojmë problemin e ikjes së popullsisë si një çështje të emergjencës kombëtare”.

“Ne duhet të shpallim gjendje të emergjencës kombëtare për ikjen e njerëzve sepse edhe sot ikjet janë masive e lëre më pas 1 janarit”, tha ai.

Leave a Reply