Rreth 590 persona në listë të pritjes për shërim jashtë Kosovës

0
346
Foto: Ilustrim

Janë tri shtete me të cilat Republika e Kosovës ka marrëveshje që pacientët t’i dërgojë për shërim jashtë vendit.

Turqia ka një numër prej 100 rasteve, të cilat ka ofruar t’i trajtojë falas për kosovarët, por për shkak të kushteve me pandeminë kjo mundësi nuk do të mund të shfrytëzohet për nja kohë të pacaktuar.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Luan Gola ka thënë se në total janë rreth 590 raste në listën e pritjes për t’u shëruar jashtë Kosovës.

“Lista e pritjes te situata emergjente kur kërkohet realizohet përmes komisionit, dhe komisioni brenda 72 orëve i adreson për kërkesa, ne arrijmë që ato kërkesa emergjente për 72 orë me i adresu. Totali i listës së pritjes nga viti 2019 që i kemi bartë është rreth 220 raste dhe në vitin 2020 janë rreth 370 raste. Pra totali i listës është rreth 590”, u shpreh Gola për telegrafin.

Vendet e tjera përveç Turqisë, me të cilat Kosova ka marrëveshje janë edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në moshën 18 vjeçare u mbulohen shpenzimet 100 për qind, ndërsa atyre mbi moshën 18 vjeçare shteti mbulon 70 për qind të shpenzimeve.

Sipas Golës, numri i spitaleve private në Republikën e Kosovës është në rritje.

Ai tha se janë 1633 institucione shëndetësore private të licencuara, prej të cilave 26 janë spitale private, ndërkaq foli edhe për investimet e planifikuara për këtë vit dhe vitin tjetër.

“Nëse e shohim nga viti 2019, kemi pas shpenzime kapitale i kemi pas dikund 25 milionë euro, situata në vitin 2020 ka ndyshu për të mirë për arsye se tani kemi dikund rreth 54 milionë euro në total të shpenzimeve kapitale, një pjesë e tyre janë siguruar përmes Bankës Botërore dhe një pjesë janë në kontraktim me CEV, që është institucione financiar, dhe një pjesë është një pjesë që ndahet prej buxhetit. Këto 54 milionë euro të jeni të sigurt që nuk mundemi gjatë këtij viti të gjitha me i kry, mirëpo janë hap procedurat. Sa i përket vitit 2021 në bazë të kornizës afatmesme ne i kemi ndarë diku rreth 25 milionë, pastaj për vitin 2021 janë nda 26 milionë, ndërsa për vitin 2022 janë paraparë diku rreth 50 milionë. Mirëpo këto nuk janë definitive për shkak se varet edhe prej formave të ndryshme të kreditimit apo edhe prej granteve të cilat munden me ardh si përkrahje ndaj Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Gola.

Leave a Reply