Rohde: Na duhet marrëveshje më 18 mars, rruga drejt BE-së është ndërmjet këtij propozimi

0
121

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai inkurajon udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Rohde, po ashtu, thotë se dy vendeve i janë premtuar edhe investime shtesë si shpërblim për konstruktivitet në dialog.

Ai thotë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit.”

Ai po ashtu tha se, pa njohje, nuk e sheh ndonjërin vend në BE.

“E kemi bërë të qartë se koha është thelbësore. Kemi një luftë në Evropë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë përballje të vazhdueshme me kriza, në lidhje me targat e makinave, barrikadat, zgjedhjet…

Andaj, na duhet një marrëveshje më 18 [mars]. Kjo është marrëveshja, e cila është në tryezë dhe duhet të zbatohet.

Pajtohem plotësisht me ju se shumë marrëveshje në të kaluarën, nuk janë zbatuar. Kjo është arsyeja përse jemi kaq të etur që këtë herë të funksionojë. Për këtë arsye keni nivelin më të lartë politik pas kësaj marrëveshjeje, është shprehur Rohde.

I pyetur për pasojat, nëse nuk ka marrëveshje, Rhode thotë se ka një premtim për përkrahje dhe investim shtesë, dhe nëse nuk ka marrëveshje nuk ka përkrahje shtesë. Ai përmend synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, çka thotë se do të bëhej më e vështirë.

“Shikoni, dua të them, ka një premtim për përkrahje dhe investim shtesë. Dhe nëse ka dështim, atëherë nuk ka përkrahje shtesë. Dhe, ju e dini, kjo veçse është një pasojë.

A do të jetë më i lehtë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare? Jo, nuk do të jetë. Do të bëhet më i vështirë sepse si mund të prisni… dua të them, rruga drejt Evropës është ndërmjet këtij propozimi dhe ne duam që të dyja vendet të jenë pjesë e Evropës. I gjithë Ballkani Perëndimor përket në BE. Shumica e vendeve, disa prej tyre, tashmë janë në NATO.

Kosova dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s. Për ta arritur këtë, ju duhet t’i bindni të gjitha vendet anëtare të NATO-s se jeni partner konstruktiv”, është shprehur ambasadori gjerman.

Leave a Reply